Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 2.089 kilogramë produkte mishi në një subjekt përpunimi në Fier, pas konstatimit të shkeljeve të kushteve higjieno-sanitare dhe të rregullave për sigurinë ushqimore. Subjekti është gjobitur me 1 milion lekë, ndërsa një pjesë e aktivitetit është ndërprerë.
Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë kontrolleve të ushtruara në të gjithë vendin përgjatë dy ditëve janë inspektuar 160 subjekte, prej të cilave 50 me origjinë shtazore, 78 me origjinë joshtazore dhe 32 me aktivitet në sektorin e mbetjeve.
Në total janë vendosur 9 masa administrative me paralajmërim për shkelje të lehta dhe 8 gjoba, me vlerë të përgjithshme 1.460.000 lekë.
Kontrolli në subjektin e përpunimit të mishit në Fier, me emrin R. Sauli, u krye në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe në bazë të informacionit të përcjellë nga Prokuroria. Inspektorët konstatuan mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve, mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, moszbatim të plotë të sistemit HACCP, si dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit ushqimor.
Për këto shkelje u bllokuan 2.089 kilogramë produkte, konkretisht 1.629 kilogramë gjiro, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë mish pule i grirë. Produktet janë destinuar për asgjësim, ndërsa ndaj subjektit u vendos gjobë prej 1 milion lekësh dhe ndërprerje e pjesshme e aktivitetit.
Kontrolle janë zhvilluar edhe në Shkodër, ku në subjektin “Universal Frigo Darb”, me aktivitet përpunimin e mishit, u konstatua mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë. Për këtë shkelje, AKU vendosi një gjobë prej 100 mijë lekësh.
Në Durrës, kontrolli në subjektin “Golden Hand Company”, që tregton fruta të thata, evidentoi mungesë gjurmueshmërie dhe moszbatim të sistemit HACCP, si dhe shkelje të përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor. Subjekti u gjobit me 300 mijë lekë.
Ndërkohë, në qarkun Dibër, Kopshti nr. 3 në Peshkopi dhe Spitali Civil Peshkopi u gjobitën me nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.
AKU bën me dije se subjekteve të kontrolluara u janë lënë detyra për përmbushjen e kërkesave ligjore në fushën e sigurisë ushqimore, të cilat do të monitorohen në vijim.


