Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti një sërë shqetësimesh për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë gjatë takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.
Blushi deklaroi se Partia e Lirisë mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por theksoi se ky proces nuk mund të kufizohet vetëm te hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave. Sipas tij, integrimi kërkon shtet të së drejtës, institucione të pavarura, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektim të lirive dhe të drejtave themelore.
Gjatë fjalës së tij, ai evidentoi dy shqetësime kryesore, duke nisur me bllokimin e fondeve evropiane. Blushi u ndal te programi IPARD III, duke deklaruar se mosaktivizimi i tij, i evidentuar edhe në Raportin e Progresit të 4 nëntorit, u ka mohuar fermerëve shqiptarë rreth 336 milionë euro mbështetje për një periudhë trevjeçare.
Ai përmendi gjithashtu Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, duke pretenduar se nga 922 milionë euro të parashikuara, deri në fund të vitit 2025 Shqipëria kishte përfituar vetëm 76.2 milionë euro mbështetje buxhetore, ndërsa për 228.47 milionë euro investime disbursimi kishte qenë zero, për shkak të mosrealizimit të reformave.
Sipas Blushit, Komisioni Evropian nuk duhet të mjaftohet vetëm me konstatimin e problematikave, por duhet të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale për fondet e bllokuara.
Ai ngriti shqetësime edhe për ndikimin e korrupsionit dhe të ekonomisë informale në procesin e integrimit, duke deklaruar se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe të mos lejojë që fondet evropiane të mos shkojnë te përfituesit për të cilët janë parashikuar.
Pjesa e dytë e fjalës së tij iu kushtua çështjes së ish-presidentit Ilir Meta dhe pretendimeve për shkeljen e të drejtave të tij themelore gjatë qëndrimit në paraburgim. Blushi e cilësoi arrestimin e Metës si të paligjshëm dhe pretendoi se procesi ndaj tij po zvarritet politikisht.
Ai kërkoi nga komisionerja Marta Kos monitorim të posaçëm evropian, hetim të pavarur për mënyrën e arrestimit të ish-presidentit, garantimin e të drejtave të tij themelore dhe transparencë të plotë të procesit gjyqësor.
Në përfundim, Blushi theksoi se Shqipëria duhet të integrohet në një Bashkim Evropian të mbështetur te demokracia, liria dhe shteti i së drejtës, duke kërkuar që institucionet evropiane të mbajnë një qëndrim më të vendosur ndaj problematikave që, sipas tij, pengojnë rrugëtimin evropian të vendit.





