
Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten, më 26 nëntor, të pezullojë pjesërisht zbatimin e Aktit Normativ nr. 5 të Këshillit të Ministrave, duke ngrirë dispozitën që parashikon gjobitjen automatike të qytetarëve për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.
Gjykata Kushtetuese arsyetoi se neni 5 i Aktit Normativ nr.5 kishte formulim të paqartë prej qeverisë dhe sillte pasoja të rënda e të pariparueshme për lirinë e tubimit. Gjykata nuk vendosi pezullim për nenet e tjera të Aktit Normativ, duke ia lënë ato shqyrtimit në themel të padisë.
Vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve, i marrë me shumicë votash, vjen pas padisë së depozituar më 5 nëntor nga grupimet “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, Qendrën “Res Publica”, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe Qendrën “EcoAlbania”. Po ashtu, Gjykata vendosi shqyrtimin me përparësi të çështjes, e cila një ditë më parë kaloi për gjykim në seancë plenare publike.
Në arsyetimin e saj, shumica e gjyqtarëve vlerësoi se neni 5 i aktit normativ, që shtoi pikën 2 të nenit 24/1 në ligjin “Për tubimet” dhe parashikonte gjobë fikse prej 5 mijë lekësh në ditë për çdo pjesëmarrës në bllokimin e akseve rrugore, pavarësisht kohëzgjatjes së pengimit, është hartuar në mënyrë tepër të gjerë.
“Referuar përmbajtjes së kësaj dispozite, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se, pa paragjykuar vendimmarrjen e Gjykatës për kushtetutshmërinë e saj, ajo rezulton të jetë formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim nëse ky sanksion zbatohet ndaj pjesëmarrësve në çdo lloj tubimi, pra edhe në ato për të cilat është dhënë autorizimi përkatës,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Gjykatës, ky formulim lejon paqartësi në zbatim dhe, duke qenë se akti ka hyrë në fuqi menjëherë në mes të protestave të vazhdueshme, zbatimi i tij deri në përfundim të gjykimit “sjell pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda” dhe “të pariparueshme në ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese”.
Por ndërsa pezulloi gjobat për bllokimin e rrugëve, shumica e gjyqtarëve refuzoi të pezullojë pjesët e tjera të kontestuara të Aktit Normativ nr. 5, si perimetrat ndalues rreth institucioneve, shpalljen e “zonave të mbrojtura” nga këshillat bashkiakë dhe dëbimet individuale 48-orëshe, ndërhyrjen e policisë në rrjetet sociale dhe aplikacione për fshirjen e mesazheve, si dhe gjobat e tjera administrative që shkojnë deri në 500 mijë lekë. Sipas shumicës, argumentet e kërkuesve “nuk mjaftojnë për të provuar, në këtë fazë të procedurës, ardhjen e pasojave të rënda ose të pariparueshme në të drejtat ose liritë kushtetuese të shtetasve, në këtë rast ajo e lirisë së tubimit paqësor, e cila ushtrohet në përputhje me parashikimet ligjore”.
Në pakicë gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, argumentuan se kërkesa e studentëve dhe shoqërisë civile duhej pranuar në tërësi. Dy gjyqtaret theksuan se zbatimi i menjëhershëm i të gjitha masave kufizuese krijon një efekt frenues mbi protestat që vijojnë prej më shumë se 150 ditësh. “Barra financiare mund të jetë veçanërisht e rëndë për studentët dhe të rinjtë, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të protestuesve. Në këto rrethana, vjelja e gjobave përpara vendimit përfundimtar të Gjykatës mund të sjellë pasoja të pariparueshme për personat e gjobitur,” shprehen Xhaferllari dhe Bejtja, duke vënë në dukje gjithashtu se përqendrimi i sanksioneve vetëm te protestuesit, pa parashikuar llogaridhënie për dhunën e policisë, ngre dyshime serioze për proporcionalitetin e aktit.
Ndërkohë, gjyqtarja Marjana Semini votoi më vete edhe për pezullimin e nenit 12/2, pika 1, shkronja “c”, duke vlerësuar se kompetenca e paspecifikuar e këshillave bashkiakë për të shpallur “zona të mbrojtura” rrezikon të kufizojë vetë thelbin e lirisë së tubimit.
Paketa ligjore u miratua me urgjencë nga Këshilli i Ministrave më 28 tetor 2026, pas protestave disamujore që nisën më 31 maj për mbrojtjen e zonës Vjosë–Nartë dhe kulmuan me lëvizjen studentore të nisur më 13 tetor. Ndërkohë që janë paditur në Kushtetuese aktet normative janë ende në diskutim dhe nuk janë votuar në Kuvend.
Përveç Aktit Normativ nr. 5 për tubimet, studentët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese edhe dy akte të tjera të miratuara në të njëjtën ditë, Aktin Normativ nr. 6, i cili u ngarkon organizatorëve përgjegjësi solidare pa faj për dëmet e shkaktuara nga persona të tretë dhe parashikon gjoba prapavepruese deri në 500 mijë lekë për personat e arrestuar gjatë protestave të tetorit, si dhe VKM-në nr. 815/2026, e cila krijon një regjistër elektronik policor për protestuesit e referuar në prokurori, duke u lejuar autoriteteve t’u refuzojnë daljen jashtë shtetit pa vendim gjykate dhe të njoftojnë shtetet e huaja apo hotelet private.
Në paditë e tyre, studentët dhe shoqëria civile e kanë cilësuar paketën si një përpjekje për “rritjen e kostos së demokracisë” dhe kanë kërkuar shfuqizimin e plotë të tyre, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që kontrolli të shtrihet edhe mbi ligjet miratuese në rast se Kuvendi i voton dy aktet normative brenda afatit kushtetues 45-ditor.
Pavarësisht se Kushtetuesja pranoi vetëm një nga kërkesat, në një njoftim për shtyp grupet studentore e cilësuan këtë një fitore.
“E mirëpresim këtë vendim dhe riafirmojmë se e drejta e protestës është themel i një shoqërie demokratike. Ky nuk është ende vendimi përfundimtar, por është konfirmim se shqetësimet që ngritëm janë serioze dhe meritojnë përgjigje”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.






