Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, nuk ka ndërmend të firmosë dekretin për rritjen e pagave të magjistratëve, pavarësisht vendimit të Këshillit të Shtetit që i kërkon qeverisë të zbatojë rillogaritjen e pagave dhe të paguajë diferencat e prapambetura për periudhën 2018-2020.
Sipas gazetës “La Repubblica”, përplasja mes qeverisë dhe Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve (ANM) është thelluar, ndërsa refuzimi i ekzekutivit për të zbatuar vendimin mund të hapë një tjetër front konflikti institucional.
Këshilli i Shtetit i ka lënë qeverisë afat deri më 31 janar për të nxjerrë dekretin që mundëson zbatimin e rritjes. Nëse ky detyrim nuk përmbushet brenda afatit, magjistratët mund t’i drejtohen sërish gjykatës për të kërkuar zbatimin e vendimit.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë, kostoja e përgjithshme e pagesave të prapambetura dhe përshtatjes së pagave mund të arrijë në afro 1 miliard euro. Kjo shifër kundërshtohet nga përfaqësues të magjistraturës, të cilët vlerësojnë se detyrimi real financiar do të jetë më i ulët.
Pas vendimit të Këshillit të Shtetit, Meloni i ka dërguar një mesazh kreut të ANM-së, Giuseppe Tango, duke e informuar se ka marrë dijeni për vendimin e ri, por pa sinjalizuar ndryshim të qëndrimit të saj.
Sipas burimeve nga presidenca e qeverisë, kryeministrja nuk e konsideron të arsyeshme firmosjen e një dekreti që mund të sjellë pagesa deri në rreth 100 mijë euro për person, duke përfshirë diferencat e prapambetura dhe rritjet e pagave.
Qeveria argumenton se, në kushtet e vështirësive ekonomike dhe nevojës për të mbështetur familjet, punonjësit dhe bizneset, fondet publike duhet të orientohen drejt përparësive të tjera. Sipas qëndrimit të përcjellë nga “Palazzo Chigi”, magjistratët përfitojnë tashmë paga mesatare mbi 137 mijë euro bruto në vit.
Meloni ka njoftuar gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve, që do të mbahet të shtunën, më 28 nëntor. Burime qeveritare kanë bërë të ditur se, për shkak të konfliktit të hapur institucional, nuk janë krijuar kushtet për praninë e saj në këtë aktivitet.
Në qendër të përplasjes është mënyra e llogaritjes së pagave të magjistratëve, të cilat sipas ligjit përshtaten çdo tre vjet, në përputhje me ndryshimin e pagave në sektorin publik dhe bazuar në të dhënat e Institutit Italian të Statistikave (ISTAT).
Për periudhën 2018-2020, fillimisht ishte miratuar një rritje prej 4,85%, por Shoqata Kombëtare e Magjistratëve kundërshtoi mënyrën e përllogaritjes. Në korrik 2025, Këshilli i Shtetit anuloi dekretin përkatës dhe kërkoi rillogaritjen e përqindjes.
Pas rishikimit të të dhënave, ISTAT përcaktoi një rritje prej 6,22%. Për zbatimin e saj nevojitet ende dekreti i kryeministres, ndërsa Këshilli i Shtetit ka vlerësuar se përllogaritjet kanë përfunduar dhe se qeverisë nuk i mbetet më hapësirë për të rishikuar vendimmarrjen mbi këtë çështje.
Deri tani, gjykata nuk ka caktuar një komisioner për të ndërhyrë në vend të ekzekutivit, por kjo mundësi mbetet nëse qeveria nuk zbaton vendimin.
Ndërkohë, qeveria ka përfshirë në projektligjin e buxhetit ndryshime në mekanizmin e ardhshëm të përshtatjes së pagave të magjistratëve dhe kategorive të barazuara me ta. Ndryshimet synojnë të rishikojnë formulën e llogaritjes së rritjeve dhe të përjashtojnë pagesat e prapambetura nga mekanizmi i ri, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027.


