Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka sfiduar gjyqtarët duke mos firmosë dekretin për rritjen e pagave të magjistratëve, pavarësisht se Këshilli i Shtetit i ka dhënë të drejtë Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve (ANM) dhe i ka lënë qeverisë afat deri më 31 janar 2027 për të zbatuar vendimin.
Përplasja mes kryeministres italiane dhe magjistratëve, raporton “La Repubblica”, ka marrë tashmë edhe një dimension institucional. Meloni ka vendosur të mos marrë pjesë në kongresin e shoqatës së magjistratëve, që zhvillohet të shtunën, me argumentin se “nuk ekzistojnë kushtet”.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë italiane, detyrimet e prapambetura dhe rritjet e pagave për dy periudha trevjeçare do t’i kushtonin buxhetit të shtetit afro një miliard euro. Në disa raste, përfitimi individual mund të arrinte deri në 100 mijë euro.
Palazzo Chigi argumenton se, në një situatë të vështirë ekonomike, kur familjet, punonjësit dhe bizneset kërkojnë mbështetje, kryeministrja nuk e konsideron të arsyeshme të firmosë një dekret të tillë për një kategori që, sipas qeverisë, përfiton tashmë paga mesatare vjetore mbi 137 mijë euro bruto.
Por magjistratët nuk po kërkojnë një rritje të re page. Ata kërkojnë zbatimin e një mekanizmi ligjor që parashikon indeksimin e pagave të tyre çdo tre vjet, në përputhje me rritjen e pagave në sektorin publik.
Çështja nisi në vitin 2021, gjatë qeverisë së Mario Draghit, kur për periudhën 2018–2020 u miratua një rritje prej 4,85%. Magjistratët kundërshtuan mënyrën e përllogaritjes dhe në korrik të vitit 2025 Këshilli i Shtetit anuloi dekretin. Instituti Italian i Statistikave ripërllogariti rritjen në 6,22%.
Për zbatimin e saj mungon vetëm firma e kryeministres.
Vendimi i fundit gjyqësor përcakton se qeverisë nuk i mbetet më hapësirë për vendimmarrje diskrecionale. Nëse Meloni nuk firmos deri më 31 janar, shoqata e magjistratëve mund të kërkojë emërimin e një komisari që do të vepronte në vend të qeverisë.
Ndërkohë, përfaqësues të magjistraturës e konsiderojnë të mbivlerësuar shifrën prej një miliard eurosh të publikuar nga qeveria, e cila përfshin dy periudha trevjeçare, ndërsa vendimi i fundit gjyqësor i referohet vetëm periudhës 2018–2020.
Qeveria Meloni ka ndërhyrë edhe në projektbuxhet, duke propozuar ndryshimin e mekanizmit të indeksimit të pagave të magjistratëve dhe rikthimin e disa prej kritereve të përllogaritjes që ishin rrëzuar më parë nga gjykata. Rregullat e reja parashikohet të zbatohen që në vitin 2027.
Përplasja në Itali nuk ka të bëjë më vetëm me pagat e magjistratëve, por edhe me detyrimin e ekzekutivit për të zbatuar një vendim gjyqësor, me të cilin politikisht nuk është dakord./ La Repubblica





Komente
Komento