Një taksist në Stamboll të Turqisë rrezikon të dënohet me deri në pesë vjet burg, pasi mashtroi një transmetues amerikan në internet, duke i marrë 136 euro për një udhëtim prej vetëm pesë kilometrash.

Ngjarja ndodhi më 1 qershor, pas koncertit të reperit Travis Scott, kur transmetuesi amerikan i njohur si Auger hipi në taksinë e 43-vjeçarit Hayrettin A., për të shkuar nga kompleksi Tersane Istanbul drejt hotelit të tij në lagjen Gümüşsuyu.


Udhëtimi zgjati rreth dhjetë minuta. Taksisti i kërkoi fillimisht 50 euro, shumë me të cilën pasagjeri u pajtua. Megjithatë, shoferi nuk e kishte aktivizuar taksimetrin.

Pas pagesës me kartelë bankare, Auger vërejti se nga llogaria i ishin tërhequr 136 euro, shumë dukshëm më e lartë se ajo për të cilën ishin marrë vesh, shkruan sozcu.

Ajo që taksisti nuk e dinte ishte se udhëtimi po transmetohej drejtpërdrejt në internet. Pamjet u publikuan në rrjetet sociale dhe rasti tërhoqi vëmendjen e autoriteteve turke.

Pas publikimit të videos, policia turke identifikoi dhe arrestoi taksistin. Atij iu shqiptua një gjobë administrative prej 141.500 lirash turke, iu anulua leja për drejtimin e taksisë, ndërsa automjeti iu tërhoq nga qarkullimi.

Taksisti mohon mashtrimin

Gjatë marrjes në pyetje, 43-vjeçari pretendoi se kishte përdorur një rrugë më të gjatë për shkak të kolonave dhe mbylljes së disa rrugëve. Ai tha se kishte nënshkruar procesverbalin policor pa e lexuar dhe mohoi se kishte përfituar para në mënyrë të paligjshme.

Sipas versionit të tij, shuma e tërhequr përfshinte edhe 100 dollarë që pretendonte se ia kishte dhënë pasagjerit në para të gatshme.

Megjithatë, prokuroria i ka cilësuar këto pretendime si përpjekje për t'iu shmangur përgjegjësisë penale. Në aktakuzë thuhet se taksisti nuk e kishte aktivizuar taksimetrin dhe kishte përfituar financiarisht duke i marrë pasagjerit më shumë para sesa çmimi i dakorduar.

Për këtë vepër penale, prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim nga një deri në pesë vjet.

Deri më tani nuk është caktuar data e fillimit të gjykimit. /Telegrafi/