Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shpallur vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, në të cilën u morën të pandehur 8 persona dhe 3 shoqëri. Biznesmeni Elman Abule, Ina Goxhaj dhe Adela Kondakçiu janë dënuar me nga 7 vite burg, dënim që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj.Nga ata, vetëm Abule, i akuzuar për ‘pastrim parash’, do të duhet ta vuajë dënimin në burg. Për Ina Goxhajn, e akuzuar për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 5 vite shërbim prove. Ndërsa Adela Kondakçiu, e akuzuar për ‘pastrim parash’, është përjashtuar nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit të bashkëpunëtores së drejtësisë.
Fatjon Baçi, gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, është dënuar me 5 vite burg, që pas gjykimit të shkurtuar reduktohet në 3 vite e 4 muaj. Edhe atij burgimi i konvertohet në shërbim prove. Frosina Bollo, e akuzuar për ‘korrupsion aktiv’ në emër të OJF-së “Frobolous” është dënuar me 1 vit burg, që pas gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj dhe konvertohet në 16 muaj shërbim prove.
Sa u përket subjekteve tregtare, Rametal sh.p.k. është dënuar me 18 milionë lekë gjobë, e cila pas gjykimit të shkurtuar reduktohet në 12 milionë lekë, me detyrimin për t’u paguar brenda 6 muajve. OJF Frobulos është dënuar me 500 mijë lekë gjobë, e reduktuar në 333 mijë lekë.
Ndërkohë, Klotilda Bushka, e akuzuar për ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, është dënuar me 300 mijë lekë gjobë, e cila pas gjykimit të shkurtuar reduktohet në 200 mijë lekë. Fatmir Bektashi, i akuzuar për ‘korrupsion aktiv’ në emër të shoqërisë “Kontakt” dhe shoqëria Kontakt sh.p.k. janë shpallur të pafajshëm. Po ashtu edhe Flutura Xhani, e akuzuar për ‘deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’ është gjithashtu shpallur e pafajshme.