Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj Teheranit, pas vdekjes së dy shtetasve italianë si pasojë e një sulmi me dronë iranianë në Kuvajt.
Përmes një reagimi në platformën sociale X, shefja e ekzekutivit evropian dënoi ashpër sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje dhe partnerëve të Bashkimit Evropian në rajonin e Gjirit Persik, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i situatës prek drejtpërdrejt sigurinë e të gjithëve.
“Duhet të shtojmë presionin ndaj Iranit për t’i dhënë fund këtyre sulmeve të papranueshme kundër fqinjëve të tij dhe partnerëve tanë në Gjirin Persik. Ngjarjet e sotme janë një tjetër kujtesë se siguria në Gjirin Persik është një çështje e sigurisë për të gjithë ne”, deklaroi von der Leyen, duke shprehur gjithashtu pikëllimin e saj dhe solidaritetin me familjarët e viktimave dhe popullin italian.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga autoritetet italiane dhe kuvajtiane, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00, kur disa dronë të prodhimit iranian shënjestruan instalime ushtarake në Kuvajt. Gjatë raportimit në Senatin italian, Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, bëri me dije se njëri prej objektivave të goditura ishte një stacion i zbulimit të mbrojtjes ajrore, ku po punonin dy teknikë italianë të kompanisë së mbrojtjes Rheinmetall, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit konfirmoi vdekjen e dy shtetasve italianë dhe njoftoi se nga sulmi mbetën të plagosur edhe të paktën katër persona të tjerë.
Lidhur me tragjedinë reagoi edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila ndodhej në punimet e Këshillit Evropian në momentin kur mori lajmin. Në një mesazh ngushëllimi, Meloni shprehu dhimbjen e thellë në emër të saj dhe të qeverisë italiane, duke u shprehur pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë të prekurve nga sulmi.
Sulmi në Kuvajt vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, teksa sulmet me dronë ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit janë intensifikuar në sfondin e përplasjeve dhe rivalitetit për kontrollin në Ngushticën e Hormuzit.










