Kryeministri shqiptar Rama dyshon se pas protestave në Shqipëri fshihet një ndërhyrje nga jashtë.
Në një intervistë me median FAZ, ai shpjegon se drejtësinë e re e krijuan pikërisht për të bërë atë që po bën dhe se ai nuk ka ndërhyrë te SPAK.
Gjithashtu shton se dhuna në protestat e Tiranës ndaj Policisë nuk ishte parë askund në Evropë.
Nga Matthias Rüb, FAZ:
Fundjavë pas fundjave, dhjetëra mijëra të rinj dalin në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranë. Protestat drejtohen kundër kryeministrit Edi Rama dhe Partisë së tij Socialiste, por edhe kundër demokratëve të opozitës, të udhëhequr nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Që prej mesit të tetorit janë shtuar përplasjet e dhunshme me policinë. Kontejnerëve të mbeturinave dhe gomave u vihet flaka, ndërsa ndërtesat qeveritare sulmohen. Forcat e sigurisë përdorin gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome. Edhe për këtë fundjavë janë paralajmëruar protesta masive në Tiranë. Shkak është festa kombëtare shqiptare e 28 Nëntorit, që përkujton shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Osmane dhe marrjen e kalasë së Krujës nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).
Rama e kundërshton krahasimin me lëvizjen studentore në Serbi, e cila çoi në rrëzimin e sundimtarit shumëvjeçar Aleksandar Vuçiç.
“Në Shqipëri nuk ka një lëvizje studentore që kërkon rrëzimin e qeverisë”, thotë ai në një bisedë me F.A.Z. Sipas tij, bëhet fjalë për “një konglomerat forcash politike, nga e majta ekstreme deri tek e djathta ekstreme, ku bën pjesë edhe një grup studentësh”.
Të ashtuquajturat protesta të flamingove fillimisht drejtoheshin kundër projekteve turistike në kufijtë e një zone të mbrojtur natyrore në deltën e lumit Vjosa. Më pas u shtuan kërkesat për dorëheqjen e kreut të qeverisë, për shkak të mënyrës autoritare të qeverisjes së tij dhe korrupsionit të përhapur.
Kryeministri thotë se nuk beson ta ketë nënvlerësuar rëndësinë e kësaj lëvizjeje heterogjene: “Këtë e dëshmon vetë fakti se lëvizja është shndërruar nga një tubim masiv në ditët e para të qershorit në një protestë të dhunshme me një numër të vogël pjesëmarrësish.”
Shkak për protestat e para të mëdha u bë një video që u përhap gjerësisht në rrjetet sociale. Në të shihej se si punonjës të sigurisë private ushtronin dhunë ndaj një protestuesi në një truall ku pritet të ndërtohet një resort luksoz, i bashkëfinancuar nga dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner.
“Kësaj proteste iu bashkuan mijëra të tjerë, për arsye nga më të ndryshmet. Për mua, kjo ishte një shfaqje domethënëse e një Shqipërie të re, që nuk kënaqet më me pak”, është vlerësimi që Rama jep në pamje të parë.
Por më pas, kreu i qeverisë, që ushtron këtë detyrë prej vitit 2013, artikulon një akuzë të rëndë. Sipas Ramës, në “revolucionin e pritshmërive të larta” janë përfshirë “duar nga jashtë, përmes metodave tashmë të mirënjohura të manipulimit digjital”.
“Ka më shumë se mjaftueshëm prova se Teherani dhe Moska e kanë ushqyer protestën me gënjeshtra dhe teori konspirative”, thotë Rama, pa dhënë hollësi konkrete.
Sipas tij, “gënjeshtra absurde” se në territorin e deltës së Vjosës nuk do të ndërtohej një resort, por një “kamp pritjeje për viktimat e spastrimit etnik në Gaza”, synonte qëllimisht të nxiste zemërimin e myslimanëve më të ndjeshëm të Shqipërisë.
Rama e hedh poshtë akuzën se forcat e sigurisë kanë reaguar në mënyrë joproporcionale gjatë trazirave dhe sulmeve ndaj ndërtesave qeveritare.
“Në Shqipëri, gjatë trazirave, janë plagosur dy herë më shumë policë sesa protestues. Në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme të dhunës policore që t’i afrohet qoftë edhe përafërsisht mënyrës se si ka vepruar policia gjatë protestave në Gjermani, Francë dhe Itali.”
Dhe në asnjë vend tjetër të Europës, pretendon Rama, “nuk ka pasur sulme kaq të egra me gurë dhe kokteje Molotov kundër policisë sa në Shqipëri”.
Ashtu si në vende të tjera europiane, edhe protestuesit në Shqipëri ankohen për mangësitë në sistemin arsimor, koston e lartë të jetesës dhe mungesën e perspektivës për brezin e ri. Shumë të rinj shqiptarë vazhdojnë ta shohin të ardhmen e tyre larg atdheut.
I pyetur se çfarë përgjegjësie personale mban për këtë situatë pas 13 vitesh në pushtet, Rama përgjigjet:
“Ankesat dhe kritikat janë legjitime, por dhuna nuk mund të justifikohet. Shqipëria ndodhet në rrugën e një përparimi të madh dhe të prekshëm, në çdo aspekt. Por Shqipëria ende nuk ofron atë që ofrojnë vendet e zhvilluara të BE-së.”
Edhe Rama synon anëtarësimin në BE. Të martën dhe të mërkurën, kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë në samitin e BE-së me vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor. Në raportin e saj më të fundit mbi negociatat e anëtarësimit, Komisioni Europian vlerëson përparimin e dukshëm të Shqipërisë. Njëkohësisht, ai i cilëson protestat e muajve të fundit si mobilizimin më të madh të shoqërisë civile që prej tranzicionit demokratik të viteve 1990 dhe 1991.
Ndërsa BE-ja vlerëson punën e strukturës antikorrupsion SPAK, njëkohësisht e cilëson korrupsionin si një pengesë në negociatat e anëtarësimit. I pyetur për këtë kontradiktë dhe për akuzat për ndërhyrje politike në drejtësi, kryeministri përgjigjet:
“Përparimi rrit pritshmëritë. Dhe pritshmëritë rrisin pakënaqësinë.”
Sipas Ramës, pakënaqësia shprehet edhe përmes protestave.
“Prandaj nuk shoh këtu asnjë kontradiktë, përkundrazi. Protestat paqësore i bëjnë mirë demokracisë.”
Sa i përket pavarësisë së drejtësisë, Rama siguron:
“Nuk ka asnjë akuzë për ndërhyrje nga ana ime në SPAK. Përkundrazi, qëndrimi im ka qenë gjithmonë i qartë për sa i përket pavarësisë së plotë të SPAK-ut. SPAK-un e kemi krijuar që të bëjë pikërisht atë që po bën.”
Raporti i BE-së është veçanërisht kritik për çështjen e lirisë së medias. Ai ngre shqetësimin për përqendrimin e lartë të pronësisë në sektorin mediatik, si dhe për fushatat e intimidimit dhe të shpifjeve ndaj mediave kritike me qeverinë.
“E kam të vështirë të gjej ndonjë provë për ekzistencën e një fushate intimidimi kundër mediave”, thotë Rama.
Nga ana tjetër, ai shprehet se mund të thotë “me siguri se bota mediatike shqiptare ka shkallën më të lartë të toksicitetit dhe përqindjen më të lartë të gënjeshtrave dhe shpifjeve në kontinentin tonë”.
Tirana synon të përmbyllë negociatat për të gjithë kapitujt me BE-në deri në fund të vitit 2027. Objektivi konsiderohet ambicioz, por i arritshëm. Disa, si në Tiranë, ashtu edhe në Bruksel, i cilësojnë protestat e vazhdueshme si një barrë për negociatat e anëtarësimit. Protestuesit kërkojnë gjithashtu zgjedhje të parakohshme parlamentare për të kapërcyer krizën e brendshme politike.
Rama shprehet për këtë:
“Kriza e brendshme politike është një produkt i mediave, i përbërë nga pamje dhe narrativa që krijohen në qendër të Tiranës nën ndikimin e akteve të dhunës. Por jashtë këtij rrethi nuk ka asnjë krizë politike. Kërkesa për zgjedhje të reja është një kërkesë legjitime e pakicës. Dhe është e drejta legjitime e shumicës që të mos ia plotësojë atë.”
Sa i përket përmbushjes së misionit të tij politik, pra anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Rama thotë:
“Do ta konsideroja misionin tim historik të përmbushur nëse do t’i përfundonim negociatat deri në fund të mandatit tim të katërt (që përfundon normalisht në vitin 2029, shën. i redaksisë).”
Po çfarë do t’i thoshte ai një studenti 20-vjeçar, që nuk dëshiron të votojë as socialistët e Ramës, as demokratët e Berishës, që nuk dëshiron të largohet nga atdheu i tij, por që në sistemin aktual të Shqipërisë nuk sheh një mundësi të drejtë për veten?
“Të rinjve u them gjithmonë: sa më larg t’i qëndroni politikës, aq më pak mund të ndikoni tek ajo.”










