Protestat e vazhdueshme kundër qeverisë së Edi Ramës dhe tubimi i paralajmëruar për 28 Nëntorin kanë shkaktuar përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të Kuvendit.
Në qendër të debatit janë përfshirë kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe, të cilët shkëmbyen ironi dhe akuza, duke u ndalur edhe te protestat që prej muajsh zhvillohen në kryeqytet.
Braçe i kujtoi Berishës sloganin që dëgjohet gjatë marshimeve të protestuesve, “Rama në burg, Berisha në burg”, duke e pyetur me ironi se përse kreu i PD-së nuk e përsërit këtë thirrje nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti socialist komentoi gjithashtu deklaratat për protestën e 28 nëntorit, duke ironizuar paralajmërimet për pjesëmarrje masive, ndërsa tubimi ende nuk është zhvilluar.
Nga ana e tij, Berisha iu kundërpërgjigj me tone të ashpra, duke e përfshirë në replikë edhe Elisa Spiropalin. Më pas, kreu i PD-së e zhvendosi debatin te ndërhyrjet që po kryhen në trotuaret e Tiranës, vetëm dy ditë përpara protestës kombëtare.
Berisha akuzoi autoritetet se po heqin pllakat e trotuareve nga frika se ato mund të përdoren nga protestuesit, duke i cilësuar këto veprime si provokim ndaj qytetarëve.
Në fund, Berisha kundërshtoi edhe votimin e dekretit në Kuvend, duke argumentuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ e bën atë të pavotueshëm në Parlament.
“Së dyti, mos provokoni qytetarët. Provokacione të ulëta keni filluar. Ju, fyeni qytetin, fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Inatçinj dhe provokatorë. Keni frikë se mos protestuesit do të çojnë pllakat e trotuarëve? Po pse nuk mund t’i mbushin ata xhepat me gurë? Pse i provokoni? Ata kanë qenë paqësorë. Por ky akt që bë keni bërë. A e keni parë çfarë keni bërë tek Pazari i Ri, po çoni kudo trotuaret. Absolutisht e bëni vetëm për të nxitur dhunë. Për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Nuk ka, kjo është betejë që s’ndalet më. Ta keni të qartë. Jeni të pashpresë dhe po tregoheni të papërgjegjshëm. Si mundet të flisni, si mund të veproni në këtë mënyrë ju? Ngrini trotuarët tani dhe në qoftë se ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh një pemë për të hedhur ndonjë vezë do prisni pemët e Tiranës? Çfarë jeni bërë kështu, more? Çfarë qeniesh jeni ju? Po të paktën të keni kurajon, se keni një përgjegjësi. Përgjegjësia juaj është se e mbështesni. Se e mbështesni apo jo? Ndaj edhe turpi, dekreti është i turpshëm, nuk mund të votohet dekreti, nuk mund të votohet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pavotueshëm në parlament. Absolutisht! Nuk votohet një dekret i ndryshuar i Këshillit të Ministrave. Prandaj hiqe nga rendi i ditës edhe ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve. Mos prekni trotuarët. Do të shpëtoni kokat tuaja duke shkatërruar trotuaret? Jo, nuk është kjo rruga”, tha ai.














