Granit Xhaka do të jetë pjesë e Sunderlandit edhe për disa sezone të tjera, pasi klubi anglez ka aktivizuar një klauzolë që nuk ishte bërë publike në momentin e transferimit të tij nga Bayer Leverkuseni.

Sipas mediumit The Echo, i cili është i afërt me Sunderlandin, drejtuesit e klubit e kanë ushtruar opsionin për zgjatjen e kontratës së mesfushorit në fund të sezonit të kaluar. Në këtë mënyrë, marrëveshja e tij është shtyrë deri në verën e vitit 2029.


Kjo do të thotë se Xhaka kishte edhe tri vjet kontratë me Sunderlandin kur Chelsea shfaqi interesim për ta transferuar gjatë verës së kaluar. Madje, sipas raportimit, londinezët kishin arritur marrëveshje në parim me futbollistin për kushtet personale, por Sunderland nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga kapiteni i tij.

“Opsioni i një viti shtesë nuk u detajua kur Sunderland njoftoi mbërritjen e mesfushorit nga Bayer Leverkusen në korrik 2025 me një kontratë trevjeçare. Klubi nuk njoftoi publikisht se opsioni ishte ushtruar më pas”.


“Zgjatja e kontratës do të thotë që Xhaka ishte nën kontratë për tre vjet të tjera kur Chelsea e kërkoi atë verën e kaluar. ‘Echo’ mëson se Sunderland hodhi poshtë disa oferta prej rreth 8 milionë funtesh për kapitenin e tyre, i cili fillimisht ishte i etur për një rikthim në Londër dhe kishte rënë dakord në parim me Chelsean për kushtet personale”, shkruan mediumi i afërt me Sunderlandin.

Ndërkohë, Xhaka është ende në fazën e rikuperimit nga lëndimi që pësoi në ndeshjen kundër Chelseat në fillim të këtij muaji.

Paraqitja e tij e 50-të me fanellën e Sunderlandit përfundoi në mënyrën më të pafat, pasi mesfushori qëndroi në fushë vetëm katër minuta para se të detyrohej të largohej për shkak të lëndimit./Telegrafi/