Partia “Yashar” e Gadi Eisenkot ka arritur një marrëveshje paraprake koalicioni me partinë “Demokratët” të Yair Golan, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e një qeverie të re në Izrael dhe për t’i dhënë fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut.
Lajmi u bë i ditur nga të dyja partitë, të cilat konfirmuan se kanë rënë dakord për një bashkëpunim, ndërsa detajet përfundimtare vijojnë të diskutohen përpara nënshkrimit të marrëveshjes.
Partia “Demokratët” e cilësoi këtë zhvillim si një hap drejt zëvendësimit të Netanyahut. Kreu i saj, Yair Golan, shkroi në rrjetin social X: “Ne i premtuam publikut se do ta zëvendësonim Netanyahun dhe do të mbronim demokracinë. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”.
Marrëveshja u arrit vetëm pak orë pasi dy partitë rifilluan negociatat, të cilat “Demokratët” i kishin pezulluar në shenjë proteste ndaj bisedimeve të Eisenkot me partinë “Likud” të kryeministrit Netanyahu.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, në bazë të marrëveshjes, “Demokratët” pritet të marrin, mes të tjerash, postin e ministrit të Sigurisë Kombëtare në qeverinë e ardhshme. Kjo detyrë aktualisht mbahet nga Itamar Ben-Gvir, i cili reagoi ashpër ndaj zhvillimit.
Ndërkohë, të martën u bë publike edhe marrëveshja e koalicionit mes partisë “Yashar” dhe një tjetër force opozitare, “Yisrael Beiteinu”.
Demokratët kërkojnë mbështetjen e partive arabe
Partia e Yair Golan mbështet krijimin e një qeverie me forcat aktuale opozitare, duke përfshirë edhe mbështetjen e partive arabe. Megjithatë, disa prej partive të tjera opozitare kanë shprehur rezerva për një bashkëpunim të tillë.
Gadi Eisenkot është ngarkuar nga presidenti izraelit, Isaac Herzog, për formimin e qeverisë, pasi zgjedhjet e zhvilluara në tetor nuk i dhanë shumicën as bllokut të tij dhe as atij të Benjamin Netanyahut.
Afati fillestar për krijimin e qeverisë është 6 dhjetori, ndërsa presidenti Herzog ka të drejtë ta zgjasë atë edhe me 14 ditë.


