Apeli: Naim Murseli e mbajti për krahu Liridonën në mënyrë që vrasësi ta qëllonte saktë

26 Nëntor 2026 | 20:05

Pas vrasjes së Liridona Ademajt, tashmë tre të dënuarit nuk treguan asnjë shenjë pendimi, madje edhe frekuentuan lokalet për argëtim. Në aktgjykimin e Apelit, ndër të tjera, thuhet se Naim Murseli e ka mbajtur për krahu bashkëshorten Liridona Ademaj, në mënyrë që vrasësi, Granit Plava, ta qëllojë saktë. Si arsye për vërtetim të dënimeve të Themelores, Apeli ka përmendur edhe kryerjen e krimit në prani të fëmijëve

Dëshira e madhe për ta vrarë, planifikimi i detajuar i vrasjes dhe kryerja e krimit në prani të dy fëmijëve, janë disa nga arsyet që shtynë Gjykatën e Apelit të vërtetojë dënimet për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.

Apeli këtë javë ka konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për ish-bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli, dhe për Granit Plavën, e po ashtu edhe atë me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.

Në aktgjykimin e gjykatës flitet edhe për mospendimin e të akuzuarve pas kryerjes së krimit.

“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në aktgjykim.

Në dokument përshkruhet edhe momenti i vrasjes. Në të thuhet se Murseli e ka mbajtur Liridonën për krahu, në mënyrë që Granit Plava ta qëllonte me armë.

“Në momentin kur ka shtënë me armë i akuzuari Granit Plava, i njëjti, pra, i akuzuari Naim Murseli, e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën L. A. dhe atë, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë, ku, edhe i akuzuari Granit Plava me një të shtënë e ka privuar nga jeta tani të ndjerën L. A., e që me këtë, tek ky i akuzuar, pra, i akuzuari Naim Murseli, plotësohet edhe elementi i dinakërisë, ngase, i akuzuari në fjalë, përveç që e ka sjellë tani të ndjerën në vendin e ngjarjes, të njëjtën edhe e ka mbajtur për krahu, me qëllim që i akuzuari Granit Plava ta realizojë vrasjen në mënyrë më të sigurt dhe të arrijë qëllimet e tij”, thuhet në aktgjykim.

Për të pandehurin Kushtrim Kokalla, shkalla e dytë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së Liridona Ademajt që t’i shqiptohet burgim i përjetshëm. Në arsyetim thuhet se ligji parasheh dënim më të butë për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Në rastet e ndihmës, kryerësit e veprës penale i shqiptohet dënim më i butë se sa kryerësit të veprës penale, prandaj, në këtë drejtim, gjykata e shkallës së parë, edhe nuk ka pasur mundësi që të akuzuarit Kushtrim Kokalla t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm, për çka, edhe u refuzuan ankesat e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar si të pabazuara”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykimin e 21 prillit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Dënimet tash janë vërtetuar edhe nga Apeli.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“E gjeta të fortë”, Ismaili viziton Kadri Veselin në Hagë: Fokusi ynë te apeli

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Hagë, ku vizituar ish-kryetarin e partisë dhe të Kuvendit të...
19:56 | 26/11/2026

Kuvendi i Kosovës ndan buxhetin, 61 mijë euro për komisionin hetimor për rastin e Arlinda Zekajt

Një buxhet prej 61 mijë eurosh është paraparë për Komisionin që do të merret me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt. Kuvendi me...
19:08 | 26/11/2026

Kurti zbulon kur do të prodhohen municionet e para në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur afatet për përfundimin e fabrikës së municionit në Gjakovë, duke deklaruar se deri në fund të...
17:51 | 26/11/2026