Një tjetër ngjarje e rëndë me sfond dhunën ndaj grave është regjistruar në Itali, ku një 25-vjeçar dyshohet se ka vrarë të dashurën e tij 23-vjeçare dhe më pas i ka dhënë fund jetës në një mënyrë tragjike.
Viktima është identifikuar si Ionela Miruna Girneata, me origjinë rumune, ndërsa autori i dyshuar është Andrea Nardini.
Trupi i 23-vjeçares u gjet në banesën e çiftit, në rrugën Roma, në Ponte Buggianese, në provincën e Pistojës. Sipas dyshimeve të hetuesve, i riu e ka goditur atë me një objekt të fortë, duke i shkaktuar vdekjen.
Gjatë këqyrjes së apartamentit, policia konstatoi gjurmë të shumta gjaku dhe shenja që sugjeronin një përleshje mes çiftit. Ndërkohë, objekti që dyshohet se është përdorur në krim ende nuk është gjetur. Autoritetet sekuestruan gjithashtu disa armë gjahu që ndodheshin në banesë. Sipas të dhënave paraprake, nuk kishte pasur denoncime të mëparshme për dhunë në çift.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Prokuroria e Pistojës, vrasja dyshohet se ka ndodhur pak pas orës 08:00 të mëngjesit. Pas krimit, Nardini është larguar me automjetin e tij tip Alfa Romeo Giulietta, duke marrë fillimisht drejtimin e Pratos dhe më pas autostradën A1 drejt veriut.
Rreth një orë më vonë, pasi kishte përshkuar afro 70 kilometra, 25-vjeçari ka telefonuar numrin e emergjencës 112, ku ka deklaruar se kishte vrarë të dashurën.
Pak më vonë, pranë viaduktit Lora, në zonën e Barberino di Mugello, ai dyshohet se i ka vënë flakën automjetit dhe vetes, përpara se të hidhej nga ura.
Flakët në automjet u vunë re edhe nga drejtuesit e tjerë që po udhëtonin në autostradë, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës.
Prokuroria ka sqaruar gjithashtu se, në kundërshtim me pretendimet e disa fqinjëve, 25-vjeçari ishte larguar nga banesa përpara mbërritjes së policisë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një tjetër femicid të ndodhur në shtator, kur Lorena Isceri u hodh nga i njëjti viadukt nga Federico Vella, pas rrëmbimit të saj. Edhe autori i asaj ngjarjeje i dha fund jetës në të njëjtën mënyrë.
Tragjedia e fundit në Itali ndodhi vetëm një ditë pas 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
