Buxheti 2027/ Shalsi për opozitën: Nuk kanë as laps, as letër, nuk dinë nga do t’i gjejnë paratë për premtimet

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka mbrojtur projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një buxhet social që reflekton rritjen dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, z.Shalsi hodhi poshtë akuzat e opozitës se rritja ekonomike ushqehet nga paratë e narkotrafikut.
Socialisti u shpreh se buxheti prej 10 miliardë eurosh mundëson një sërë masash në mbështetje të qytetarëve, nga ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë, te mbështetja për pensionistët, studentët dhe familjet në nevojë.
Ai komentoi edhe propozimet e opozitës për rritjen e pensioneve dhe pagave, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe pa mbështetje financiare.
INTERVISTA E PLOTË:
Ju, qeveria thotë se për herë të parë do të arrijë buxheti në shifrën e 10 miliardë eurove, gjë që pritet të sjellë një ekonomi, një prodhim kombëtar deri në 30 miliardë euro. Kurse për opozitën, kjo ekonomi është rezultat i një aktiviteti kriminal dhe para të karteleve të narkotrafikut[1]. Përgjigja juaj?”
Eduard Shalsi: Opozita ka kohë tashmë që është jashtë realitetit, e ka humbur busullën, nuk është e aftë as të lexojë dhe as të kuptojë. Është fakt që për herë të parë buxheti kalon shifrën e 10 miliardë eurove dhe është fakt që ky është një buxhet social në masën më të madhe. Pra kemi një situatë ekonomike të qëndrueshme në rritje, parashikojmë rreth 4% rritje vjetore dhe duke parë edhe kontekstin gjeopolitik, pra agresionin rus në Ukrainë apo atë në Irak që ka prishur zinxhirin e tregtisë dhe ka shtuar shumë kostot e transportit, Shqipëria është duke performuar kënaqshëm. Pra janë faktet përballë atij kaosit të opozitës. Vlen të theksohet se janë disa masa të cilat e ndihmojnë qytetarin shqiptar për të ulur koston e jetesës. Ulja në 6% e TVSH-së, një dëshirë e jona e kahershme, nuk do të mund të bëhej realitet nëse ne nuk do të kishim këtë situatë ekonomike të shëndetshme. Pra nga 20%, TVSH-ja e ushqimeve bazë, dhe janë rreth 54 produkte bazë ushqimore të cilave do t’u ulet TVSH-ja dhe nuk është vetëm ulja, por është edhe mekanizmi i kontrollit. Ka një numër të konsiderueshëm masash të tjera që kanë të bëjnë me strehimin. Strehimi do të jetë më i përballueshëm, parashikojmë bashkëfinancim të qirasë. Kemi punësimin e studentëve me gjysmë pagë minimale, kemi dyfishimin e bonusit të pensionistëve, kemi bursa për studentët, kemi mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara dhe pagesën e kontributeve për kujdestarët e tyre. Janë rreth 60% e studentëve që në një formë ose një tjetër mbështeten nga ky buxhet.
Opozita thotë të dyfishohen pensionet, pensioni minimal të jetë të paktën 200 euro në muaj, pagat e ulëta të rriten me 50%, pagat e mesme me 30%, minimumi jetik 200.000 lekë e masa të tjera. Atëherë, ato që përmendët ju përballë këtyre propozimeve?
Eduard Shalsi: Më bëjnë të qesh sepse nuk kanë as laps, as letër dhe nuk dinë të kalkulojnë se nga do të dalin këto para e si do të shpenzohen këto para. Por ato e kanë provuar në fakt se gjatë kohës që qeverisën, në vitin 2013 e lanë Shqipërinë në buzë të humnerës me një mal me borxhe. Borxhi publik tashmë është rreth 52%, ndërkohë që borxhi i deklaruar atëherë ishte rreth 85%, por kishte edhe një borxh të fshehur. Pra është e lehtë për një forcë politike që nuk di se ku gjendet të lëshojë të tilla shashka krejtësisht të papërgjegjshme. Mundohen të gënjejnë njerëzit që janë mjaftueshmërisht të zgjuar dhe e dinë se kush ka bërë, kush bën dhe kush i del zot. Edhe ne do të donim t’i barazonim pensionistët shqiptarë me pensionistët europianë, por kini parasysh se një fëmijë që është pesë vjeç nuk mund të bëhet 10 vjeç pa u bërë gjashtë, shtatë, tetë. Edhe ekonomia shqiptare tashmë po i afrohet një prodhimi kombëtar prej 30 miliardësh. Pra performanca e shëndetshme e ekonomisë na lejon që tashmë të marrim edhe këto masa të cilat jam i bindur se do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë.
/vizionplus.tv




