Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me një përplasje të ashpër mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhe. Shkak u bë një histori e fëmijërisë së ministrit dhe mënyra se si ai kishte fituar të drejtën për të studiuar në Liceun Artistik gjatë periudhës së diktaturës.
Berisha ironizoi Gonxhen, duke pretenduar se pranimi i tij në Lice ishte bërë përmes ndikimit të të atit dhe një episodi të vitit 1976, kur Enver Hoxha vizitoi Gjirokastrën. Sipas versionit të paraqitur nga kreu i PD-së, Gonxhe kishte vizatuar makinën e diktatorit dhe më pas vizatimi ishte përdorur për t’i siguruar hyrjen në shkollë.
“Ti meriton çdo epitet, por s’dua të prish gojën këtu para qytetarëve. Je një shkatërrimtar i arsimit në Shqipëri. Edhe ky me kulturën. Edhe ky, si u bë piktor ky”, deklaroi Berisha, përpara se të lexonte mesazhin që pretendonte se kishte marrë për historinë e ministrit.
Në përgjigjen e tij, Gonxhe pranoi se, kur ishte fëmijë, kishte vizatuar makinën e Enver Hoxhës, por mohoi që kjo ngjarje t’i kishte shërbyer për të hyrë në Liceun Artistik. Ai tha se vizatimi ishte pasojë e pasionit të tij për makinat dhe se pranimi në shkollë ishte rezultat i talentit dhe meritës.
“Ngjarja ka të bëjë vetëm me një fëmijë 8 vjeç në Palorto të Gjirokastrës, ku unë banoja. Kam vizatuar që 3 vjeç, është një nga talentet e mia. Nuk mund të hyja me mik në lice, se vizatoja bukur dhe ishte një nga talentet e mia edhe vizatimi i makinave. Benz-i ka qenë fiksim i një fëmije që vizatonte. Po, ka qenë e vërtetë, nuk kam asgjë për të fshehur, por tregoj historinë e një 8-vjeçari”, u shpreh ministri.
Gonxhe shtoi se në revistën “Pioneri” ishte botuar edhe një portret i Qemal Stafës, të cilin ia kishte dhuruar Enver Hoxhës kur ishte fëmijë. Ai këmbënguli se në atë moshë nuk e kuptonte se personi që po takonte ishte diktatori.
Në fund të replikës, ministri kaloi në sulme personale ndaj Berishës, duke e cilësuar “një sekretar partie të rëndomtë”, “plak matuf” dhe “një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë”.
“Ta dinë qytetarët se Blendi Gonxhe ka hyrë me meritë në çdo shkollë dhe nuk i ka hyrë në hak askujt”, përfundoi ai.


