Duke folur në Debat Plus në TV Dukagjini, Ramabaja ka thënë se, sipas tij, këta veprimtarë nuk janë vrarë nga forcat serbe, por në rrethimin e tyre kanë marrë pjesë edhe shqiptarë që shërbenin në policinë e asaj kohe.

“E kam fjalën për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun... nuk i ka vrarë Serbia. Dhe kjo është fshehje, ky mos trajtim si duhet i këtyre temave. I ka vra policia e Kosovës, dhe nuk janë përgjigj, për fat të keq kanë qenë gjithë shqiptarë që kanë marrë pjesë në rrethimin e tyre. Natyrisht, në uniformën e policisë serbe”, ka deklaruar Ramabaja.

Ai ka përmendur edhe vrasjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, duke shtuar se edhe në rrethimin e tyre kanë marrë pjesë shqiptarë. Si shembull, Ramabaja ka përmendur Tahir Zemajn, për të cilin ka thënë se ishte suspenduar pasi kishte qenë pjesë e rrethimit të Malës dhe Berishës.

“Shqiptarët i kanë vrarë edhe Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun. Ka fakte... Për shembull, Tahir Zemaj është suspenduar sepse ka qenë pjesë e rrethimit të Malës e Berishës”, ka thënë ai.