Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se deri në fund të dhjetorit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës shtetërore të municionit në Gjakovë, ndërsa në të njëjtën periudhë parashihet të realizohet edhe prodhimi i parë testues.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin, obligimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të këtij projekti.

Sipas Kurtit, ndërtimi i kompleksit industrial do të zhvillohet në disa faza, ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera përcjellëse pritet të përfundojnë gjatë vitit 2027.

Ai e cilësoi fabrikën e municionit si projekt strategjik për Kosovën, duke theksuar se prodhimi vendor do të rrisë kapacitetet mbrojtëse dhe do të zvogëlojë varësinë nga furnizuesit e huaj.

“Prodhimi vendor do të forcojë qëndrueshmërinë e Kosovës në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri shtoi se, në kushtet e mungesave globale të municioneve, të ndikuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar ndërkombëtare, krijimi i kapaciteteve prodhuese në vend do të mundësojë siguri më të madhe në furnizim.

Duke folur për projektin, Kurti bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime fizibiliteti nga kompani të dy vendeve anëtare të NATO-s.

Ai sqaroi edhe ndarjen prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, duke theksuar se kjo shumë është e dedikuar për rrethimin e zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë, dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me ndërtimin e fabrikës së municionit.

Sipas tij, kompleksi shtetëror i prodhimit të municioneve do të ketë edhe rrethojën e vet të veçantë, e cila do të ndërtohet nga MKE-ja.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes tashmë ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrikë. Para fillimit të prodhimit testues, punonjësit do të ndjekin trajnime të specializuara në Turqi.

Në fazën fillestare, angazhimi i tyre është paraparë përmes një projekti trevjeçar, ku janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: