Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Prime News24”, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës, duke e cilësuar Partinë Socialiste si një organizatë kriminale, të ndërtuar mbi interesa korruptive, klienteliste dhe mafioze. Sipas tij, përplasjet mes klaneve brenda PS-së janë tregues i degradimit të kësaj force politike, ndërsa përgjegjësinë kryesore për situatën ia atribuoi kryeministrit Edi Rama.

Duke komentuar edhe përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar socialist, Këlliçi tha se është për t’u përshëndetur fakti që ajo ka vendosur të flasë hapur për zhvillimet brenda mazhorancës, ndonëse, sipas tij, për vite me radhë ka kontribuar në konsolidimin e pushtetit të Ramës dhe instalimin e autokracisë në vend.

Ai vlerësoi veçanërisht qëndrimin e Spiropalit për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke theksuar se ajo nuk u bashkua me votat e socialistëve për të penguar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres.

“Është për t’u përshëndetur që një person i tillë, që ka kontribuar në konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës, flet hapur për situatën. Ajo i ka shërbyer instalimit të autokracisë në vend, por ka një akt me vlerë, që nuk ka bashkuar votat me deputetët e PS-së për të mbrojtur Belinda Ballukun për heqjen e imunitetit të saj kur e kërkoi SPAK-u dhe që nuk u bë pjesë e radhës së ushtarëve në shërbim të korrupsionit galopant të dyshes Rama-Balluku”, deklaroi Këlliçi.

Më tej, demokrati u ndal te situata brenda Partisë Socialiste, duke thënë se përplasjet nuk lidhen me bindje politike, por me interesa të ndryshme korruptive dhe klienteliste.

“PS-ja ka problemet e saj dhe është një organizatë kriminale me interesa të ndryshme korruptive, klienteliste dhe mafioze. Ka klane që përplasen gjithë kohës dhe është për të ardhur keq që një parti politike kthehet në një organizatë të mirëfilltë kriminale. Ajo që po shohim është se degradimi i kësaj force politike është i pashmangshëm. PS-ja është e gjitha një grup kriminal dhe kreu i saj është Edi Rama. Sa kohë nuk i biem problemit në kokë, aty duhet ta mbajmë diskurin”, u shpreh ai.

Këlliçi komentoi edhe protestat e të rinjve shqiptarë, duke i lidhur ato me kundërshtimin ndaj korrupsionit që, sipas tij, përfaqëson modeli i qeverisjes Rama-Balluku.

“Të rinjtë shqiptarë janë në shesh kundër korrupsionit Rama-Balluku dhe sepse nuk bien dakord me këtë model”, theksoi nënkryetari i PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb