Procesi i konsultimit për projektligjin e Kodit të ri të Procedurës Penale do të vijojë edhe javën e ardhshme, kur Ministria e Drejtësisë pritet të zhvillojë takimin e fundit me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, përpara shqyrtimit të komenteve dhe propozimeve të mbledhura. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi se megjithëse afati zyrtar i konsultimit publik përfundoi më 28 tetor, puna për hartimin e dokumentit përfundimtar nuk ka mbaruar. “Në 30 shtator e nxorëm projektligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”, deklaroi Gogu.
Ministri tha se gjatë procesit janë marrë mendime nga gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të SPAK-ut, avokatë, ekspertë dhe qytetarë. Projektligji është hartuar edhe me kontributin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, ndërsa dokumenti i është përcjellë Komisionit Evropian. Gogu pranoi se projektligji ka marrë kritika, të cilat po adresohen brenda procesit të konsultimit. “Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë”, u shpreh ai.
Përpara se Kodi të marrë formën përfundimtare, Gogu evidentoi tre hapa që mbeten: zhvillimi i konsultimit të fundit me median dhe shoqërinë civile; shqyrtimi i propozimeve të paraqitura dhe publikimi i raportit përkatës; dhe kalimi i projektligjit në qeveri e më pas në Kuvend. Ministri nënvizoi se çdo propozim që do të shqyrtohet do të marrë përgjigje dhe se raporti do të jetë publik, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon qeverisë dhe Kuvendit.
Gogu theksoi se Kodi i ri duhet të garantojë një ekuilibër mes mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe kompetencave të institucioneve për hetimin e krimit. “Një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra”, përfundoi ministri.
