Legjenda e boksit botëror, Mike Tyson, do të jetë pjesë e serialit turk “Tuzlu Kahve”, që transmetohet në televizionin Star TV. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda do të shfaqet në episodin e 13-të, në rolin e një miku të Mehmetit, personazhit të interpretuar nga aktori Buğra Gülsoy, i cili vjen nga Amerika.
Televizioni ka publikuar promon e episodit me mbishkrimin “Surpriza Mike Tyson”, ku boksieri shfaqet teksa mbërrin në shtëpinë e Mehmetit.
Në skenat e publikuara, ai pritet nga Hatun, personazhi i luajtur nga Binnur Kaya. Mysafirit amerikan i shërbehen “mıhlama”, një gatim tradicional turk, dhe kafe turke.
Një nga momentet që spikat në promon e episodit është kur Candan, e interpretuar nga Şevval Sam, shprehet se do t’i lexojë filxhanin e kafesë Tysonit.
Pjesëmarrja e boksierit në serial ishte paralajmëruar që në fund të tetorit. Më 26 tetor, Tyson mbërriti në Stamboll së bashku me familjen e tij dhe, gjatë një prononcimi për gazetarët në një terminal privat, u bë e ditur se ai do të shfaqej në një produksion televiziv turk.


