Një rrëfim pa fjalë për vetminë, kujtesën dhe pritjen e gjatë, që tashmë ka tërhequr vëmendjen e festivaleve ndërkombëtare të filmit

Të shtunën, më 28 nëntor, nga ora 18:00, në kinemanë ABC në Prishtinë, në kuadër të Festivalit të Filmit të Shkurtër “Hyjnesha në Fron”, do të shfaqet premierë filmi i shkurtër artistik “Dita e fundit e pritjes”, me skenar dhe regji të Albina Muçaj Osmanit.


Filmi, i realizuar pa dialog dhe me interpretimin e aktores Nexhmije Selca, shënon debutimin regjisorial të Albina Muçaj Osmanit.

“Dita e fundit e pritjes” tashmë është përzgjedhur edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “Festival Cortos para Tiempos Largos”, i cili mbahet nga 26 deri më 29 nëntor në Kolumbi.

Filmi ishte gjithashtu pjesë e përzgjedhjes zyrtare të festivalit të filmit të shkurtër që u mbajt në Korçë, nga 26 deri më 31 tetor, ndërsa aktualisht është në pritje të konfirmimeve nga festivale të tjera kinematografike.

Një rrëfim për vetminë dhe peshën e pritjes

E vetmuar në një shtëpi të heshtur fshati, Mona, një grua në moshë të shtyrë, jeton mes kujtimeve dhe pritjes së gjatë për fëmijët e saj.

Fotografitë, mesazhet dhe një djep i vjetër e mbajnë të lidhur me një të kaluar që nuk arrin ta lërë pas. Derisa, një ditë, ajo merr një vendim që mund të jetë një akt çlirimi, dorëzimi apo një lamtumirë e vonuar.

Përmes heshtjes dhe gjuhës vizuale, filmi trajton vetminë në pleqëri, mungesën e njerëzve të dashur dhe lidhjen e thellë emocionale me të kaluarën.

Ekipi realizues i filmit

Filmi është realizuar nga produksioni “Uliks Film”, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Komunës së Prishtinës.

  • Në rolin kryesor: Nexhmije Selca
  • Skenari dhe regjia: Albina Muçaj Osmani
  • Producent: Ilir Kabashi
  • Drejtor i fotografisë: Blerim Gjinovci
  • Montazhi: Zamir Qeriqi
  • Skenografia dhe kostumet: Dea Ahmeti
  • Përpunimi i ngjyrave: Gazmend Nela dhe Flone Miftari
  • Asistent i kamerës: Kushtrim Haxha
  • Producent ekzekutiv: Mevlyd Osmani

/Telegrafi/