Gazetari Osma Stafa ka ngritur shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë politike në Shqipëri, duke deklaruar se korrupsioni është kthyer në një fenomen të normalizuar, ndërsa qytetarët po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi ekonomike dhe sociale.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Stafa u shpreh se pakënaqësia ndaj qeverisjes nuk njeh dallime politike dhe se situata aktuale ndihet në çdo familje, pavarësisht bindjeve partiake.
Sipas gazetarit, qytetarët kanë arritur në një pikë ku nuk mund të përballojnë më pasojat e korrupsionit, ndërsa institucionet dhe zyrtarët publikë nuk mbajnë përgjegjësi për zhvillimet që lidhen me qeverisjen.
“Jetojmë në një vend ku përgjegjësia politike nuk ekziston. Këtu edhe korrupsioni në nivelin më të lartë është normalizuar. Po të gjesh arka me lekë, po të gjesh lekë të mykur, këtu është krejt normale. Drejtësia, drejtësia, drejtësia. Ky është refreni që dëgjon kudo. Po përgjegjësi politike a ka në këtë vend?”, deklaroi Stafa.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e Ergys Agasit, duke ngritur pikëpyetje mbi pushtetin dhe ndikimin që, sipas tij, kishte një person që nuk mbante asnjë funksion të lartë shtetëror, por që kishte akses në fonde publike.
Në vijim, gazetari u ndal te protesta e paralajmëruar për 28 nëntorin, duke u bërë thirrje qytetarëve që këtë herë të dalin në shesh për interesat e tyre dhe jo në përgjigje të thirrjeve të partive politike.
“Për herë të parë në jetën e tyre, nëse kanë dalë në protesta sepse i kanë thirrur partitë politike në 36 vite, këtë herë të dalin për veten e tyre. Data 28 për mua është një mesazh i pastër ndaj gjithë atyre që thonë se mbaroi protesta, iku fryma. Nuk ka ikur fryma, është iluzion”, u shpreh ai.
Stafa ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi standardet e jetesës së përfaqësuesve të pushtetit, duke i krahasuar ato me realitetin e qytetarëve të zakonshëm. Ai kritikoi faktin që zyrtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve marrin trajtim mjekësor jashtë vendit, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi në sistemin shëndetësor shqiptar.
Në përfundim, gazetari propozoi bashkimin e studentëve dhe protestuesve për të krijuar një alternativë të re politike, e cila të mos jetë e varur nga partitë ekzistuese dhe të mund të përfaqësohet në zgjedhje.
Sipas tij, qytetarët kanë një mundësi për të organizuar një lëvizje të re politike dhe për ta kthyer pakënaqësinë e tyre në një alternativë konkrete përmes protestave dhe organizimit qytetar.














