Një punonjës i policisë së burgjeve ka mbetur i plagosur pas një sulmi nga një i dënuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, gjatë turnit të tretë, ndërsa efektivi është dërguar për ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve, punonjësi i policisë, Agron Bebja, është goditur në kokë nga i dënuari Dritan Ymeri, i cili po vuan një dënim prej 25 vitesh burg.
Nga të dhënat paraprake, Ymeri kishte kërkuar të shkonte në tualet. Në momentin kur efektivi hapi derën, i dënuari dyshohet se e goditi me një mjet të fortë metalik, të përshkruar në burime si “petrogaz”.
Si pasojë e goditjeve, Bebja pësoi dëmtime në kokë dhe iu desh të merrte disa qepje, pas trajtimit nga mjekët.
I pyetur nga grupi hetimor i Prokurorisë së Dibrës se përse e kishte sulmuar punonjësin e policisë, i dënuari mësohet të jetë përgjigjur: “Ma tha truri”.
Pas incidentit, Ymeri është izoluar. Sipas informacioneve të raportuara, ai ka qenë i përfshirë edhe në një ngjarje të rëndë në vitin 2017, ku mbeti i vrarë një mjek.
Deri në këto momente, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për incidentin.


