
Analisti Fatos Lubonja kërkon bashkimin e të gjitha forcave opozitare dhe grupimeve të protestës për krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të reja. Lubonja propozoi krijimin e një këshilli përfaqësues ku të përfshihen të gjitha forcat, nga PD-ja te grupimet e reja dhe protestuesit. Sipas tij, bashkimi duhet të nisë nga një marrëveshje për kriteret dhe programin, përpara se të zgjidhet kandidati.
Ai theksoi se asnjë parti nuk duhet të këmbëngulë te kandidati i saj, nëse gjendet një emër që pranohet nga të gjithë. “Formula ime nuk është një njeri për bashkimin e të gjithëve, por është një këshill bashkiak. Për të hequr edhe idenë që do të dalë një person ideal, por të jetë një këshill bashkiak. Ky është edhe një mundësi shumë më e mirë për t’i bashkuar të gjithë këta që përmenda, nga PD-ja gjer te protesta”, u shpreh Lubonja.
I pyetur nëse do të pranonte të ishte vetë kandidat, analisti e refuzoi këtë mundësi. “Nëse më fusin për të thënë ‘e fusim këtë se na duhet’, them jo. Unë kam dhe kufizimet e mia. Duhet një i ri atje, të ketë besimin e këtyre grupimeve. Ka njerëz që e kanë atje. Ideja ime është prapë, jo te njeriu. Duhen diskutuar kriteret”, u përgjigj ai.
