
Ministria e Industrisë dhe Burimeve Minerare e Arabisë Saudite po përgatitet të shtyjë konferencën më të madhe të metaleve dhe mineraleve në rajon, ndërsa lufta mes mbretërisë dhe rebelëve Huthi të Jemenit po përshkallëzohet.
Organizatorët e Future Minerals Forum u kanë bërë të ditur folësve dhe pjesëmarrësve se ka të ngjarë të duhet ta shtyjnë aktivitetin, i cili ishte planifikuar të zhvillohej gjatë një jave në janar, për shkak të sulmeve të vazhdueshme në rajon.
Një shtyrje e aktivitetit do të nënvizonte shqetësimin në rritje se konflikti do të ketë pasoja ekonomike edhe në vitin e ardhshëm, duke goditur përpjekjet e Arabisë Saudite për të tërhequr aktivitete turistike dhe biznesi.
Pjesëmarrës të mëparshëm të konferencës i thanë Financial Times se, sidoqoftë, me shumë gjasë do të tërhiqeshin nga aktiviteti, për shkak të rreziqeve të shtuara të udhëtimit drejt vendit.
FMF deklaroi se aktiviteti nuk është anuluar dhe se përditësimet mbi konferencën do të bëhen të ditura përmes kanaleve të saj zyrtare.
Organizatorët kanë anuluar tashmë një sërë aktivitetesh të rëndësishme në Arabinë Saudite, përfshirë konferencën kryesore ekonomike të mbretërisë, Future Investment Initiative, e njohur gjerësisht si “Davos në shkretëtirë”.
Anulimi ose shtyrja e shumë aktiviteteve erdhi pas një serie sulmesh vdekjeprurëse të ndërmarra në fillim të tetorit nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid në Riad, ku mbetën të vrarë të paktën 17 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë, shkruan FT.
Huthit kanë shënjestruar gjithashtu vazhdimisht javët e fundit Distriktin Financiar King Abdullah, në zemër të kryeqytetit saudit, Riad, duke shkaktuar dëme në dy rrokaqiej që i përkasin kompanisë shtetërore të naftës Saudi Aramco dhe fondit sovran të pasurisë së mbretërisë.
Distrikti financiar u godit sërish të martën, ku 11 persona mbetën të plagosur nga një sulm ndaj PIF Tower, selisë së fondit sovran të pasurisë.
Muajin e kaluar, kompania e organizimit të eventeve Informa, e listuar në bursën FTSE, tha se përshkallëzimi i trazirave në Arabinë Saudite e kishte detyruar të riplanifikonte aktivitete të tjera, përfshirë shtyrjen e Cityscape Global dhe të edicionit fizik të Global Health Exhibition.
Vendi ka organizuar pesë edicione të mëparshme të FMF-së në Riad, ndërsa tema e parashikuar për vitin e ardhshëm ishte “Bashkëpunimi global për furnizime të qëndrueshme me minerale”.
Konferenca ka tërhequr zyrtarë të lartë qeveritarë nga 91 vende, mes më shumë se 21.500 pjesëmarrësve në edicionin e këtij viti, në janar. Forumi i vitit 2026 çoi në nënshkrimin e 132 marrëveshjeve me vlerë mbi 26,7 miliardë dollarë, ndërsa mes folësve kishte drejtues të kompanive kryesore të minierave, si BHP, Rio Tinto, Vale dhe Codelco.
Aktiviteti përqendrohet te një tryezë e rrumbullakët ministrore e drejtuar nga qeveria dhe synonte të promovonte mundësitë e investimit në Arabinë Saudite dhe rajone të tjera.
FMF është shndërruar në një nga aktivitetet kryesore të kalendarit të tregtisë së lëndëve të para, duke prezantuar ambiciet e Arabisë Saudite në sektorët minerar dhe industrial. Në kuadër të planit të saj strategjik Saudi Vision 2030, vendi po përpiqet të diversifikojë ekonominë dhe të ulë varësinë nga të ardhurat prej naftës, pjesërisht përmes investimeve në burime të tjera strategjike, si mineralet kritike.
Ministria e Industrisë dhe Burimeve Minerare dhe zyra qeveritare e medias nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.