I riu tregon si e mashtruan teksa kërkonte shtëpi me qira: Më morën 400 euro dhe më bënë bllok!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.11.2026, 00:46

Një qytetar nga Durrësi ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një rast të dyshuar mashtrimi përmes Facebook-ut, ku pretendon se ka humbur 400 euro teksa kërkonte një apartament me qira në zonën e Plazhit.

Sipas denoncuesit, gjithçka ka nisur pas një postimi të tij në Facebook, ku kërkonte një banesë me qira. Ai tregon se është kontaktuar nga një person me emrin e profilit "Sonila Sonila", e cila fillimisht ka komunikuar me të përmes Messenger-it dhe më pas e ka lidhur me një person tjetër, që i është prezantuar si vëllai i saj.

Pas komunikimeve, palët kanë rënë dakord për marrjen me qira të një apartamenti në zonën e Plazhit në Durrës. Qytetari pretendon se ka kryer pagesën prej 400 eurosh, ndërsa ishte lënë dakord që çelësat e banesës t'i dorëzoheshin ditën e sotme, në orën 10:00.

Por, kur ka tentuar të kontaktojë personat për të marrë çelësat, fillimisht nuk ka marrë përgjigje dhe më pas ka konstatuar se ishte bllokuar në Facebook, WhatsApp dhe në telefon.

Në pamjet dhe komunikimet e dërguara në redaksi, qytetari shpreh zemërimin për atë që pretendon se i ka ndodhur, duke kërkuar kthimin e parave të kursyera prej muajsh.

Ai u bën thirrje personave që e kanë kontaktuar që t'i kthejnë shumën e marrë, ndërsa paralajmëron se në të kundërt do të shkojë në banesën ku i ishte premtuar se do të jetonte.

JOQ Albania publikon denoncimin për të bërë të njohur rastin dhe për t'u dhënë mundësi personave të përmendur të reagojnë, ndërsa qytetari duhet t'i drejtohet organeve kompetente për të kallëzuar rastin dhe për të kërkuar kthimin e parave përmes rrugëve ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit