Paketa fiskale merr miratimin e Kuvendit/ Për herë të parë, normë e reduktuar e TVSH-së për 54 produkte ushqimore
Gjatë një seance maratonë, që vijoi përtej mesnatës, Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës pesë projektligjet e paketës fiskale për vitin 2027, ku ndër ndryshimet kryesore është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore.
Nga lista e produkteve që do të përfitojnë normën e reduktuar të TVSH-së u hoq uji i ambalazhuar, ndonëse ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Amendamenti i propozuar nga deputeti socialist Erjon Malaj u miratua me 78 vota pro, 12 kundër dhe asnjë abstenim. Kuvendi rrëzoi gjithashtu propozimet e Partisë Demokratike për uljen e TVSH-së në 6% për ujin e pijshëm.
Me 77 vota, shumica parlamentare miratoi edhe amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri, që parashikon përjashtimin për 10 vjet nga tatimfitimi të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, me status special dhe marka ndërkombëtare. Ndërkohë, nuk morën miratimin e Kuvendit katër amendamentet e paraqitura nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Pas miratimit të paketës fiskale, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e amendamenteve për projektbuxhetin e vitit 2027, përpara votimit përfundimtar të tij.
Opozita kishte paraqitur gjithsej 40 amendamente, prej të cilave 28 nga Partia Demokratike dhe 12 nga Partia e Lirisë.
Në orët e mesnatës, në sallën e Kuvendit u paraqit edhe deputetja socialiste Belinda Balluku, ndërsa po zhvillohej procesi i votimit.
Debate për paketën antidhunë pas vendimit të Kushtetueses
Seanca plenare, e nisur të enjten, u shoqërua gjatë gjithë ditës me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Përplasjet u përqendruan kryesisht te akti normativ për tubimet, veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkesa e demokratëve për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ për protestat ndezi debatet në sallën e Kuvendit, me opozitën që kërkoi ndërprerjen e shqyrtimit dhe mosvotimin e akteve.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku i kërkoi drejtueses së seancës të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi se ishte pezulluar vetëm dispozita që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve dhe jo i gjithë akti normativ.
Sipas Manjës, Kuvendi ka kompetencën kushtetuese për të shqyrtuar aktin e miratuar nga Këshilli i Ministrave brenda afatit 45-ditor.
Përplasje për dhunën në protesta, replika Demo-Korreshi dhe Berisha-Braçe
Diskutimet për aktet normative lidhur me tubimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestave sollën replika edhe mes ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, dhe deputetit demokrat Saimir Korreshi.
Demo ngriti akuza për përdorimin e të miturve në akte dhune gjatë protestave, duke ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e Partisë Demokratike në organizimin e grupeve të dhunshme.
Korreshi, nga ana tjetër, i kërkoi ministrit të Brendshëm që, nëse disponon informacione për persona të përfshirë në akte dhune, të veprojë për arrestimin e tyre.
Nuk munguan as replikat mes kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Erion Braçe. Ky i fundit i kujtoi kreut të opozitës thirrjet e protestuesve në Tiranë, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, ndërsa Berisha iu përgjigj me ironi, duke i përmendur Elisa Spiropalin.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se qeveria po ndërhyn në formën e trotuareve për të penguar protestuesit të përdorin pllakat e tyre për sulme ndaj institucioneve.
Sponsorizimet dhe donacionet, përplasje mes Berishës dhe Gonxhes
Në orët e mbrëmjes, debatet në Kuvend u zhvendosën te projektligji “Për sponsorizimet dhe donacionet”, veçanërisht te mënyra e administrimit dhe shpërndarjes së fondeve për mbështetjen e sportit dhe kulturës.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ngriti një sërë akuzash ndaj ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, për administrimin e fondeve publike gjatë ushtrimit të detyrave të mëparshme, duke kundërshtuar besimin e 30 milionë eurove për sponsorizimet ministrit.
Gonxhja hodhi poshtë akuzat, duke iu referuar raporteve të organeve audituese, të cilat, sipas tij, nuk kanë konstatuar dëm ekonomik. Ministri i cilësoi sulmet e Berishës si personale dhe e sfidoi kreun e opozitës që t’u drejtohej gjykatave dhe prokurorisë.
Top Channel