Kuvendi miraton me 80 vota paketën, nga TVSH-ja 21% te dividendi 15% si ndryshojnë taksat

Pavarësisht se paketa e re fiskale hasi kundërshtime nga 16 Dhoma Tregtie dhe shoqata biznesi të cilët kërkuan rishikimin e masave të propozuara, shtyrjen e zbatimit të tyre dhe më shumë konsultime përpara miratimit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 80 vota pro Paketën Fiskale 2027, e cila sjell ndryshime në pesë ligje që lidhen me sistemin tatimor dhe fiskal të vendit: Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Taksat Kombëtare, Akcizat dhe Procedurat Tatimore.
Opozita votoi kundër dhe të gjitha amendamentet e saj u rrëzuan.
Paketa Fiskale 2027, bizneset kërkojnë shtyrje, paralajmërojnë humbje pune, rritje çmimesh, faliment
Paketa Fiskale u miratua me 80 vota pro
Paketë të re fiskale përfshin ndryshime në 9 masa, me efekte të ndryshme në buxhetin e shtetit. Gjashtë prej masave parashikohet të kenë efekt pozitiv në të ardhurat buxhetore, me një rritje prej 23,8 miliardë lekësh, ndërsa tri masat e tjera llogaritet të sjellin një reduktim të të ardhurave prej 19,7 miliardë lekësh.
Ministri i Financave Petrit Malaj ka pohuar se efekti neto i paketës së re fiskale vlerësohet në rreth 3,8 miliardë lekë të ardhura shtesë, apo rreth 40 milionë euro.
Ministri i Financave Malaj ka argumentuar se ndryshimet synojnë rishpërndarjen e barrës fiskale, lehtësimin e taksimit për shtresën e mesme, rritjen e kontributit nga të ardhurat më të larta dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi gjatë diskutimeve në Kuvend Paketën Fiskale 2027, duke deklaruar se ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë do të rrisë barrën fiskale për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë.
Sipas Tabakut, nga ky ndryshim preken rreth 17,500 biznese, ndërsa ajo akuzoi qeverinë se ka ndryshuar qëndrimin ndaj biznesit të vogël, duke mos mbajtur premtimin për të mos e përfshirë këtë kategori në skemën e TVSH-së.
“Ju premtuat që nuk do të ketë TVSH për biznesin e vogël. Sapo kalohet fushata, ndryshohet pragu. Direktiva e BE-së ka vendosur një prag prej 85 mijë euro për biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë, por ju i gënjyet, sepse profesionistët e lirë fituan në Gjykatën Kushtetuese.
Po i vendosni në TVSH dhe një kosto prej 21%. Ju i jepni zgjidhje profesionistëve të lirë ose të rrisin çmimet, ose të dalin nga tregu.
Kjo nuk është politikë ekonomike dhe fiskale, por po vendosni taksë atyre njerëzve që guxuan, u ngritën kundër jush. Për këto taksa të pandershme, të padrejta, që ia kanë marrë frymën ekonomisë dhe pakicës”, deklaroi Tabaku.
Deputetja ngriti gjithashtu shqetësimin për trajtimin fiskal të karburanteve, duke iu referuar heqjes së akcizës për naftën e jahteve, ndërkohë që fermerët vijojnë të paguajnë akcizë për naftën që përdorin në aktivitetin e tyre.
“Hiqet akciza për naftën e jahteve, ndërkohë keni fermerët me naftë me akcizë. Po çfarë po i bëni kësaj ekonomie, që sot, përveç pastrimit të parave dhe kriminalizimit që po vuajnë dy sektorë në mëshirë të fatit, me rënie të eksporteve, sot jeni duke vendosur taksa të tjera që do t’i dëmtojnë dhe do të vuajë zinxhiri i gjithë ekonomia për shkak të një politike fiskale të mangët”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, ndryshimet e propozuara do të shtojnë kostot për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë, duke ndikuar edhe te çmimet e shërbimeve dhe aktiviteti ekonomik.
Në replikë ndaj deputetes Jorida Tabaku, deputeti socialist Erjon Braçe kundërshtoi pretendimet e saj për rritjen e barrës fiskale ndaj bizneseve të vogla dhe profesionistëve të lirë, duke deklaruar se tatimin mbi vlerën e shtuar nuk e paguan biznesi, por konsumatori.
Deputeti Braçe kundërshtoi gjithashtu shifrën prej 17,500 biznesesh që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke theksuar se jo të gjitha këto subjekte janë profesionistë të lirë.
“Nuk është e vërtetë që 17,500 bizneset që përfshihen në TVSH janë profesionistë të lirë. As një e treta e tyre nuk janë profesionistë të lirë. Nuk është e vërtetë që Tatimin mbi Vlerën e Shtuar e paguan biznesi, as profesionistët e lirë. TVSH-në e paguan konsumatori. Për naftën pa akcizë për fermerët, ata u trajtuan për shtatë vite, por nuk u përmendën si profesionistë të lirë”, deklaroi Braçe në replikën e tij në Kuvend.
Hotelet me 4 e 5 yje, me status special, pa tatim fitimi edhe për 3 vjet
Me votat e PS-së, Kuvendi shtyu me tre vjet, nga dhjetori 2026 deri në dhjetor 2029, afatin brenda të cilit hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare mund të marrin statusin special për të përfituar përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin.
Amendamenti u propozua nga deputetja socialiste Brisejda Çakërri.
TVSH 6% për produktet
Një nga ndryshimet kryesore të Paketës Fiskale 2027 është rishikimi i normave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%, ndërsa për 14 kategori produktesh bazë ushqimore parashikohet aplikimi i një norme të reduktuar prej 6%.
Në këtë kategori përfshihen buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi i pulës, viçit dhe derrit, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
Lista e detajuar e produkteve dhe kodeve përkatëse do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda datës 15 janar 2027. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë ka hartuar Projektakti Normativ, “Për monitorimin e përkohshëm të çmimeve dhe reflektimit të uljes së TVSH-së për produktet ushqimore të shportës bazë”, përcakton se pas hyrjes në fuqi të ligjit të TVSH me 6%, ulja e çmimeve nga supermarketet duhet të reflektohet me 11.6%.
Drafti, ndërkohë përcakton se nëse ulja e çmimit është më e vogël se 10%, kjo do të shërbejë si kriter për nisjen e njëverifikimi administrativ. Gjatë kontrollit do të vlerësohen edhe ndryshimet e dokumentuara të kostove të furnizimit, transportit dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në çmim.
Ndërkohë, për sektorin e akomodimit parashikohet rritja e TVSH-së nga 6% në 10%. Ndryshimi përfshin strukturat akomoduese, si hotelet dhe bujtinat, si dhe shërbimet e hoteleve dhe resorteve me pesë yje, me status special dhe markë ndërkombëtare.
Agroturizmi i certifikuar vijon të përfitojë nga norma e reduktuar prej 6%.
Sipas vlerësimeve të relacionit të projektligjit, rritja e normës standarde të TVSH-së pritet të sjellë rreth 10,6 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet, ndërsa ulja e TVSH-së për ushqimet ka një efekt negativ të vlerësuar në rreth 12,8 miliardë lekë. Rritja e normës për akomodimin vlerësohet të sjellë rreth 593 milionë lekë të ardhura shtesë. Efekti neto i këtyre ndryshimeve vlerësohet negativ për buxhetin me rreth 1,6 miliardë lekë.
Pragu i regjistrimit në TVSH ulet në 5 milionë lekë
Një tjetër ndryshim që prek bizneset e vogla dhe profesionet e lira është ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Në zbatim të pragut të ri, të gjithë tatimpaguesit të cilët gjatë vitit 2026 kanë realizuar një qarkullim mbi 5,000,000 lekë do të përfshihen në skemën e TVSH-së.
Kjo masë është përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 28 tetor 2026, dhe do të zbatohet nga 1 janari 2027.
Administrata tatimore ka sqaruar se mbështetur në te kjo VKM regjistrimi i tyre në TVSH do të kryhet automatikisht nga Administrata Tatimore, pa qenë e nevojshme që tatimpaguesit të paraqesin një kërkesë të veçantë për regjistrim. Ky detyrim përfshin të gjithë tatimpaguesit që kanë tejkaluar pragun prej 5,000,000 lekësh, pavarësisht vlerës së tejkalimit, edhe në rastet kur qarkullimi i realizuar është vetëm 1 lek mbi këtë prag.
Efektet financiare nga përgjysmimi i pragut llogaritet 3,5 miliardë lekë.
Dividendi rritet nga 8% në 15%, ndryshon tatimi mbi pagat
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat.
Një nga masat kryesore është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e re prej 15% do të zbatohet për dividendët e shpërndarë nga 1 janari 2027, pavarësisht periudhës kur janë krijuar fitimet. Gjithashtu, huatë, paradhëniet dhe financimet e dhëna ortakëve nga shoqëritë tregtare do të përfshihen në përkufizimin e dividendit kur nuk përfaqësojnë transaksione reale apo shlyerje detyrimesh. Ndryshimi synon të kufizojë tërheqjen e fondeve të shoqërive nga ortakët pa një marrëdhënie të mirëfilltë financiare.
Tatimi mbi fitimin mbetet 15%. Ndryshe nga propozimet që u diskutuan në fazat paraprake të hartimit të paketës, në projektligjet e depozituara në Kuvend nuk parashikohet rritja e tatimit mbi fitimin e shoqërive nga 15% në 17%.
Norma mbetet 15% për bizneset që kalojnë pragun përkatës të xhiros, ndërsa regjimi 0% për subjektet nën pragun prej 14 milionë lekësh vijon deri në fund të vitit 2029, sipas legjislacionit në fuqi.
Një tjetër lehtësi administrative për bizneset është ndryshimi i mënyrës së dorëzimit të pasqyrave financiare. Për pasqyrat që i përkasin vitit 2027, bizneset që kanë detyrim depozitimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit do t’i dorëzojnë ato vetëm në QKB, e cila do t’ia përcjellë elektronikisht administratës tatimore. Për pasqyrat financiare të vitit 2026 vijon detyrimi për dorëzim si në QKB, ashtu edhe pranë administratës tatimore.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Fasha që tatohet me 13% zgjerohet deri në 300 mijë lekë pagë bruto në muaj, nga 200 mijë lekë që është aktualisht.
Për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë në muaj zbatohet norma 23%, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë parashikohet një normë e re prej 30%. Sipas vlerësimeve të relacionit, nga ndryshimet në strukturën e tatimit mbi pagat përfitojnë rreth 25,704 punonjës, ndërsa rreth 1,293 punonjës pritet të paguajnë më shumë tatim.
Një tjetër ndryshim lidhet me përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të disa kategorive me aftësi të kufizuara, përfshirë personat e verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë, personat me surdomutizëm dhe invalidët e punës, sipas përcaktimeve të ligjit.
Hiqet taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant
Në ligjin për Taksat Kombëtare parashikohet heqja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër benzinë dhe naftë. Sipas argumentimit të paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, ndryshimi ka një efekt prej 32,4 lekësh për litër në barrën tatimore mbi karburantin, duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së.
Masa synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe qytetarëve që përdorin automjetet për të shkuar në punë, si dhe kostot e sektorëve të bujqësisë, transportit publik dhe transportit të mallrave.
Megjithatë, heqja e kësaj takse shoqërohet me rritjen e taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
Tarifa fikse që përdoret në formulën e llogaritjes së taksës vjetore dyfishohet, nga 12,5 në 25 lekë për naftën dhe nga 10 në 20 lekë për benzinën.
Sipas përllogaritjeve të Monitor, një autoveturë me naftë, 1,600 cm³ dhe 10 vjet e vjetër, nga 4,800 lekë taksë vjetore do të paguajë 9,600 lekë.
Për automjetet me cilindratë mbi 2,000 centimetra kub parashikohen tarifa përkatësisht 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën. Ndryshimi prek edhe automjetet e reja, të cilat deri tani përjashtoheshin nga kjo taksë gjatë tre viteve të para të përdorimit.
Një automjet me benzinë, 1,400 cm³ dhe 15 vjet i vjetër, nga 6,160 lekë do të paguajë 12,320 lekë. Një automjet me benzinë, 1,500 cm³ dhe dy vjet i vjetër, që aktualisht përjashtohet, do të paguajë 4,800 lekë.
Edhe automjetet elektrike përfshihen në skemën e re, me një taksë vjetore prej 15 mijë lekësh, ndërsa taksa vjetore shtesë për automjetet luksoze rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka kërkuar gjithashtu nga qeveria të rishikojë taksën e karbonit, e cila vijon të aplikohet për çdo litër karburant, si dhe të shqyrtojë problematikat që mund të krijojë pagesa vjetore e taksës së automjeteve për përdoruesit që përshkojnë pak kilometra.
Rritet akciza e duhanit, kalendar i ri deri në vitin 2033
Paketa Fiskale 2027 parashikon vijimin e rritjes graduale të akcizës për cigaret dhe produktet e tjera të duhanit, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Për cigaret, akciza për 1,000 fije do të rritet nga 7,750 lekë në vitin 2026 në 8,100 lekë në vitin 2027. Kalendari parashikon rritje të mëtejshme: 8,450 lekë për 1,000 fije në vitin 2028; 8,800 lekë në vitin 2029; 9,150 lekë në vitin 2030.
Nga viti 2030 parashikohet edhe aplikimi gradual i një pjese shtesë të akcizës në përqindje mbi çmimin maksimal të shitjes me pakicë, duke nisur me 2% në vitin 2030, 3% në 2031, 4% në 2032 dhe 5% në 2033.
Gjatë shqyrtimit të paketës, Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka propozuar gjithashtu heqjen nga tabela e akcizës të qeseve me nikotinë për përdorim oral, duke argumentuar se këto produkte janë të ndaluara në tregun vendas. Trajtimi përfundimtar i kësaj çështjeje do të përcaktohet nga teksti i miratuar.
Procedurat tatimore, ndryshime në administrimin dhe kontrollin fiskal
Paketa përfshin edhe ndryshime në ligjin për Procedurat Tatimore, të cilat synojnë forcimin e administrimit fiskal, përmirësimin e kontrollit dhe rritjen e disiplinës në përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Ndër propozimet e paraqitura në kuadër të kësaj pjese janë zgjerimi i zbatimit të gjobës prej 10% të vlerës së transaksionit për pagesat me para në dorë, përfshirë edhe shitjet ndaj konsumatorëve, si dhe ndryshime në trajtimin e kësteve tatimore të papaguara.
Parashikohen gjithashtu masa administrative për dokumentacionin e çmimeve të transferimit.
Këto dispozita synojnë të kufizojnë shmangien e detyrimeve tatimore dhe të forcojnë zbatimin e rregullave nga bizneset.
Komisioni i Ekonomisë kërkoi lehtësi doganore për industrinë fason
Përtej ndryshimeve të propozuara nga qeveria, Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka adresuar edhe problematikat e industrisë së lehtë, veçanërisht të sektorit fason që punon me material porositës. Në rekomandimet e paraqitura në Kuvend nga deputeti Erjon Braçe, në emër të Komisionit, qeverisë i është kërkuar të shqyrtojë mundësinë e përjashtimit nga taksat doganore të lëndëve të para që përdoren në proceset e prodhimit të këtij sektori.
Sipas Komisionit, nëse qeveria kërkon që bizneset fason të ndryshojnë ciklin e prodhimit dhe të kalojnë drejt një modeli me më shumë vlerë të shtuar, kjo kërkesë duhet të shoqërohet edhe me masa konkrete lehtësuese fiskale.
https://monitor.al/varianti-final-i-dividendit-ministri-malaj-fitimet-para-2027-s-tatohen-me-8/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









