Kurti: Në fund të vitit pritet të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deri në fund të vitit pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës së municionit në Gjakovë dhe të realizohet prodhimi i parë testues.
Kurti këtë e ka thënë në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kurti ka thënë se laboratorët, depotet dhe objektet e tjera të kompleksit të fabrikës së municionit në Gjakovë pritet të përfundojnë gjatë vitit 2027.
Ai tha se kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Tha se prodhimi vendor do të forcojë qëndrueshmërinë e Kosovës në furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, duke ulur varësinë nga prodhuesit e huaj.
“Edhe në ketë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie. Në këtë kuadër, Kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do të forcojë vet qëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë, dhe institucionet e tjera të sigurisë. Në kushtet e mungesave në nivel global të shkaktuara nga luftërat dhe kërkesa e shtuar, ky kapacitet do të rrisë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë varësinë tonë nga prodhuesit e huaj. Ju e dini që ne kemi blerë shumë municion dhe armatim, por, ato nuk janë prodhimi ynë, dhe ne dëshirojmë që kjo të ndryshojë në vitet në vijim”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
Sa i përket ndarjes prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë i referohet rrethojës së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë.
“Kjo është ndarje e veçantë nga ndërtimi dhe funksionalizmi i kompleksit të prodhimit të municioneve. Kompleksi shtetëror do të ketë murin e vet rrethues i cili do të ndërtohet po ashtu nga MKE-ja. Deri në fund të dhjetorit 2026 parashihet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve. Laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027. Ministria e Mbrojtës tashmë e ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrike, para fillimit të prodhimit testues punonjësit do të ndjekin trajnimin specialistik në Turqi. Në fazën fillestare ata janë angazhuar përmes një projekti trevjeçar në të cilin janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi të dijë se në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor është paraparë financimi i fabrikës për vitin 2027, me çfarë kodi dhe me çfarë shume konkrete.
Ajo po ashtu kërkoi informacione për vlerën e përgjithshme të detyrimeve financiare që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë turke, shumën e paguar deri më tani dhe afatin aktual të funksionalizimit të fabrikës.
Kurti tha se nuk është e dobishme që emrat e kompanive dhe shtetet prej nga vijnë ato të bëhen publike, pasi sipas tij, kjo mund t'u mundësojë kundërshtarëve dhe armiqve të Kosovës t'u qasen atyre.
“Nuk mendoj se është e dobishme të tregohet se cilat janë kompanitë, nga cilat shtete publikisht, që pastaj kundërshtarët e armiqtë e Republikës së Kosovës të ju qasen atyre. Është gabim”, deklaroi Kurti.
Fundi i këtij viti edhe më herët ishte përmendur si afat nga vetë zyrtarë të Qeverisë për funksionalizimin e Fabrikës së Municionit e prodhimin e plumbave të parë nga ajo.
KOHA në fillim të nëntorit ka raportuar se punimet në Jahoc të Gjakovës, janë në fazën fillestare.
Përveç lëvizjes së dheut e disa pjesëve ku ai ishte i grumbulluar, në fillim të nëntorit në hapësirën disa hektarëshe të ndarë për këtë projekt, nuk ishin parë shenja të zhvillimit të punimeve të tjera.
Kontrata për Fabrikën e Municionit me prodhuesin shtetëror turk është nënshkruar në dhjetor të vitit 2024.
Përmbajtja e saj është konfidenciale, por në atë kohë është deklaruar se përveç makinerisë prodhuese, kontrata përfshinë edhe trajnimin e stafit, mirëmbajtjen për një kohë, si dhe pajisje me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim.
Kuvendi ndan 62 mijë euro për komisionin hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kuvendi ka ndarë 62 mijë euro për punën e komisionit hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Vendimi mori mbështetjen e 67 deputetëve.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Me t’u kthyer në shtëpi, Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj.
Për rastin janë arrestuar edhe katër persona të tjerë pos Albert Sylajt.
Ka pasur zinxhir suspendimesh në Polici e dorëheqje ka dhënë edhe drejtori i përgjithshëm.
Me protesta është kërkuar edhe përgjegjësi politike, por ministrat kanë refuzuar të japin dorëheqje.
Kuvendi shkarkon katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil
Kuvendi i Kosovës ka miratuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Për shkarkimin e Malsore Gashi-Bajraktarit votuan 60 deputetë, asnjë kundër dhe një abstenuan. Eshref Shabani u shkarkua me 61 vota për, ndërsa Arlinda Demi me 60 vota për dhe një abstenim. Për shkarkimin e Arben Mehmetit votuan 61 deputetë.
Vendimi për shkarkimin e anëtarëve ishte proceduar paraprakisht nga Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, i cili më 11 nëntor kishte miratuar me shumicë votash propozimin që anëtarët e Këshillit të liroheshin nga detyra.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka për funksion shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, si dhe monitorimin e institucioneve publike për zbatimin e rregullave të shërbimit civil.
Dështon përzgjedhja e anëtarëve shqiptarë të Bordit të RTK-së, s’paraqiten në intervistim
Përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka hasur sërish në pengesa, pasi asnjëri nga kandidatët shqiptarë nuk është paraqitur në intervistim. Për këtë arsye, konkursi për dy pozitat e rezervuara për komunitetin shqiptar do të rishpallet, është bërë e ditur në seancën e sotme të Kuvendit ku në rend dite ishte zgjedhje e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e RTK-së.
Kryesuesja e Komisionit ad hoc, Arbërie Nagavci, bëri të ditur në Kuvend se gjashtë kandidatë shqiptarë i kishin plotësuar kriteret për të vazhduar në fazën e intervistimit, por asnjëri nuk mori pjesë. Sipas saj, njëri kandidat kishte njoftuar se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk ishin paraqitur.
Kjo nxiti reagime nga deputetët e opozitës. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se kandidatët nuk kishin dështuar në plotësimin e kritereve, por ishin tërhequr nga gara. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, bëri të ditur se njëri prej kandidatëve kishte kërkuar që intervistimi të zhvillohej online, ndërsa të tjerët ishin tërhequr.
Musliu, Zemaj dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikuan proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve publike, duke ngritur shqetësime për ndikimin politik dhe mungesën e mundësive të barabarta për kandidatët.
Nga komunitetet joshumicë anëtarë u zgjodhën Ana Kostiq nga komuniteti serb, ndërsa Aldin Shabani nga komunitetet e tjera. Pas hedhjes së shortit, Kostiqit e Shabanit iu dha mandat dyvjeçar.
Haradinaj kritikon VV-në: Veteranët i përjashtuan nga paga minimale, ndërsa shfaqin videon e UÇK-së
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar për, siç tha, hipokrizi në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e luftës, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka reaguar lidhur me shfaqjen në Kuvend të videos së daljes publike të UÇK-së, duke thënë se në të njëjtën kohë veteranët janë përjashtuar nga paga minimale, bashkë me Listën Serbe.
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava, patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike, ndërsa ka akuzuar pushtetin për mashtrim ndaj qytetarëve.
“Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon, e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim”, ka thënë ai.
Haradinaj ka ftuar qytetarët që, sipas tij, ta besojnë atë që e cilësoi si mashtrim dhe pafytyrësi të pushtetit.
“Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, shtoi Haradinaj.
Emërohen 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës
Me 67 vota për, një kundër dhe katër abstenime, Kuvendi i Kosovës ka emëruar 15 anëtarët e Këshillit të Shkencës.
Emrat që u votuan për anëtarë të Këshillit janë: Aliriza Arenliu, Arbnora Dushi, Armond Daci, Arven Syla, Besnik Krasniqi, Emine Kalaja-Hajdari, Fetah Podgorica, Ibrahim Krasniqi, Majlinda Bregasi, Mentor Alishani, Mihone Kerolli, Mimoza Ibrani, Myzafere Krasniqi-Limani, Tringa Dedi dhe Valmir Krasniqi.
Paraprakisht, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku kërkoi nga deputetët të votohet lista me 15 emrat e propozuar për këtë Këshill, për të cilët tha se përfshijnë fusha të ndryshme të dijes.
“Këshilli Kombëtar i Shkencës është organ me rëndësi të veçantë për zhvillimin e veprimtarisë kërkimore, shkencore në Republikën e Kosovës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zhvillimin e procesit të nominimit të anëtarëve të këtij Këshilli. Më 28 tetor 2026, Qeveria ka nxjerrë vendim dhe i ka propozuar Kuvendit të Kosovës për emërim 15 kandidatë për anëtarë të Këshillit. Kjo listë përfshinë fusha të ndryshme të dijes dhe veprimtarisë shkencore, duke synuar përfaqësimin e një spektri të gjerë të ekspertizës akademike dhe kërkimore shkencore. Kjo përbërje e propozuar përfshinë një pjesë të anëtarëve nga përbërja e Këshillit të kaluar”, ka deklaruar ministri Çeku.
15 anëtarët e zgjedhur kanë mandat katër vjeçar.
Haxhiu kujton daljen e parë publike të UÇK-së: Jemi pranë atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë
Në fillim të seancës plenare kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka kujtuar daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhi më 28 nëntor të vitit 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt, i cili u vra nga forcat Serbe.
Haxhiu ka thënë se në prag të këtij përvjetori qëndrojnë me krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi që ndodhen në Hagë dhe nga shkalla e parë janë dënuar me 81 vjet burgim.
“Teksa kujtojmë këto ngjarje jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), luftëtarëve të lirisë të cilës edhe këtë 28 nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë, vendi i tyre është në Kosovës dhe në vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se nga varrimi i një mësuesi lindi besimi se liria mund të fitohej.
“Për në 28 nëntori i vitit 1997 është nëntorit i tretë, pas Krujës 1443 dhe Vlorës më 1912, ai u shkua edhe në Llalushë ku mijëra njerëz u mblodhën për ta përcjell mësuesin e tyre, Aty p[ara tyre dolën Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj, me uniformën e UÇK-së. ishte hera e për që UÇK-ja e cila deri atëherë vepronte në ilegalitet doli hapur para qytetarëve, para popullit ... Ajo liri u fitua me gjak, me sakrificë, me guxim dhe më përkushtimin e mijëra njerëzve, atë liri e gëzojmë ne në shtetin tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Në Kuvend është lëshuar edhe një video nga dalja e parë publike e UÇK-së.
Nuk miratohen Rezoluta për mungesën e barnave e ajo për energjinë elektrike
Të enjten në vazhdimin e seancës nuk ka kaluar rezoluta nga interpelanca e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, e zhvilluar ditë më parë dhe e ftuar e cila u ftua pas vdekjes së një pacienteje me kancer së cilës i mungonte një bar nga terapia.
Gjithashtu nuk është votuar as rezoluta nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike.
Për rezolutën e parë kanë votuar vetëm 27 deputetë, ndërkohë kundër kanë votuar 49.
Ndërkohë për të dytën 27 deputetë kanë votuar për dhe 51 kanë qenë kundër.