Paketa fiskale kalon në Kuvend! TVSH-ja zbret në 6% për 54 produkte, por rriten taksat për bizneset dhe automjetet

27 Nëntor 2026 | 07:25

Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë dritën jeshile paketës së re fiskale, e cila sjell ndryshime në taksimin e produkteve ushqimore, pagave, dividendit dhe automjeteve. Mes ndryshimeve kryesore është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore, një masë që synon të lehtësojë shpenzimet e konsumatorëve.

Pesë projektligjet që përbëjnë paketën u miratuan me shumicë votash, ndërsa gjatë shqyrtimit në Kuvend pati edhe ndryshime në listën e produkteve që përfitojnë nga norma e reduktuar. Nga lista u hoq uji i ambalazhuar, pavarësisht se ishte përfshirë më herët nga Komisioni i Ekonomisë. Po ashtu, deputetët rrëzuan amendamentet e opozitës për aplikimin e TVSH-së 6% edhe për ujin e pijshëm.

Sipas përllogaritjeve, nëse ulja e TVSH-së përcillet e gjitha te konsumatori, çmimet e produkteve të përfshira në listë mund të ulen deri në 12%. Norma e reduktuar do të aplikohet gjithashtu për paketat higjienike për gratë dhe foshnjat, si dhe për disa shërbime që lidhen me investimet e klubeve sportive.

Por paketa fiskale nuk sjell vetëm lehtësime. Duke nisur nga viti 2027, norma standarde e TVSH-së do të rritet nga 20% në 21%, ndërsa për strukturat akomoduese do të shkojë nga 6% në 10%. Përjashtim nga kjo rritje do të bëjë agroturizmi.

Ndryshime parashikohen edhe për bizneset. Pragu i regjistrimit në skemën e TVSH-së ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke zgjeruar numrin e subjekteve që do të përfshihen në këtë regjim.

Një tjetër ndryshim prek tatimin mbi dividendin, i cili rritet nga 8% në 15%. Ndërkohë, rishikohet edhe skema e tatimit mbi pagat. Fasha që tatohet me 13% zgjerohet nga 60–200 mijë lekë në 60–300 mijë lekë. Për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë do të aplikohet norma 23%, ndërsa për të ardhurat mujore mbi 700 mijë lekë tatimi do të jetë 30%. Paga minimale vijon të mbetet e përjashtuar nga tatimi.

Ndër ndryshimet që prekin drejtpërdrejt drejtuesit e automjeteve është edhe mënyra e mbledhjes së taksës së qarkullimit. Aktualisht, kjo taksë paguhet përmes çmimit të çdo litri naftë apo benzine dhe arrin në 32.4 lekë me TVSH. Me paketën e re, ajo kalon te detyrimet vjetore të automjetit, çka parashikon dyfishimin e taksave vjetore të mjeteve.

Pesë projektligjet u miratuan me këto rezultate:

  • Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat: 82 vota pro.
  • Ndryshimet në ligjin për TVSH-në: 78 vota pro.
  • Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore: 80 vota pro.
  • Ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare: 80 vota pro dhe 20 kundër.
  • Ndryshimet në ligjin për akcizat: 78 vota pro.

Paketa e re fiskale pritet të hyjë në zbatim sipas afateve të përcaktuara në secilin prej ndryshimeve ligjore, me disa prej masave që do të nisin të aplikohen nga viti 2027.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Debate në Kuvend për votimin e Buxhetit 2027 dhe Paketë Fiskale

Kuvendi vijon punimet në seancën plenare që nga ora 10:00 e se enjtes . Gjatë kësaj seance në fokus është miratimi i projektbuxhetit të vitit...
00:29 | 27/11/2026

Buxheti 2027, Kuvendi rrëzon propozimin e PD për minimumin jetik 200 euro

Kuvendi rrëzoi me 80 vota kundër propozimin e PD-së për vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh në muaj. Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi...
00:28 | 27/11/2026

Çfarë parashikon buxheti 2027 për familjet, pensionistët, pagat, shëndetësinë dhe investimet

Buxheti i vitit 2027 parashikon mbështetje financiare për rreth 59 mijë familje në nevojë, rritje të bonusit mujor për pensionistët dhe fonde për politikat e...
00:10 | 27/11/2026