Krisje në aleancën Putin-Kim? Inteligjenca ukrainase: Pheniani ka pezulluar dërgesat e raketave drejt Rusisë

27 Nëntor 2026 | 07:52

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Koresë së Veriut duket se po përballen me fërkimet e para serioze, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë ushtarak që dy vendet kanë ndërtuar që prej fillimit të luftës në Ukrainë.

Shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase (GUR) bëri të ditur këtë të enjte se Pheniani ka pezulluar përkohësisht një pjesë të bashkëpunimit ushtarak me Moskën, përfshirë dërgesat e raketave balistike KN-23 dhe municioneve të artilerisë.

Shkak për përplasjen mes dy aleatëve mësohet të jetë bërë afrimi diplomatik i Moskës me Korenë e Jugut dhe gatishmëria e Kremlinit për të kontribuar në uljen e tensioneve në Gadishullin Korean.

Sipas inteligjencës ukrainase, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, ka kërkuar nga Moska të sqarojë politikën e saj ndaj Seulit, pasi zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko, kishte shprehur gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes dy Koreve.

Në shenjë pakënaqësie, Pheniani raportohet se ka pezulluar edhe fluturimet ushtarake ruse mbi territorin e Koresë së Veriut.

Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me kërkesën e Moskës për shtimin e ndjeshëm të numrit të ushtarëve koreano-veriorë në territorin rus. Sipas GUR, Rusia ka kërkuar që kontingjenti ushtarak i Koresë së Veriut të rritet nga rreth 8,500 në 50 mijë ushtarë, por Pheniani po vonon dhënien e një përgjigjeje.

Koreja e Veriut është shndërruar në një prej furnizuesve kryesorë ushtarakë të Rusisë që prej vitit 2023, duke i siguruar Moskës armë dhe municione, ndërsa nga viti 2024 ka nisur të dërgojë edhe trupa ushtarake.

Ushtarët koreano-veriorë janë angazhuar në luftimet kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut. Nga ana tjetër, bashkëpunimi ushtarak me Moskën përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash në valutë të huaj për regjimin e Kim Jong-un, i cili prej vitesh përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.

Megjithatë, agjencia Reuters bën të ditur se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur informacionet e publikuara nga inteligjenca ukrainase, ndërsa Moska dhe Pheniani nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj raportit.

Vetë Rudenko kishte deklaruar muajin e kaluar se Moska kishte marrë sinjale nga Seuli për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe pas përfundimit të luftës në Ukrainë. Madje, sipas tij, palët po diskutonin edhe mundësinë e rifillimit të fluturimeve direkte.

Pavarësisht raportimeve për mosmarrëveshje, kontaktet diplomatike mes Rusisë dhe Koresë së Veriut kanë vijuar normalisht. Vetëm javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin priti në Kremlin Jo Jong-won, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kim Jong-un, ku të dy vlerësuan bashkëpunimin mes vendeve.

Nëse konfirmohet, pezullimi i furnizimeve ushtarake nga Pheniani do të përbënte një goditje për Moskën, por edhe një sinjal se aleanca mes Putinit dhe Kim Jong-un nuk është imune ndaj përplasjeve të interesave gjeopolitike.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump ironizon Ditën e Falenderimeve demokratët: Faleminderit atyre që na sollën të majtën radikale

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shfrytëzuar Ditën e Falënderimeve për të përcjellë një mesazh të mbushur me akuza ndaj kundërshtarëve politikë, emigrantëve dhe institucioneve federale....
07:49 | 27/11/2026

NATO vendos radarin ajror AWACS për të monitoruar hapësirën ajrore polake

NATO ka autorizuar vendosjen e një avioni zbulues AWACS në Poloni, pasi prokurorët thanë se tre raketa ruse kruiz ranë në territorin e saj. Radari...
07:46 | 27/11/2026

Irani mohon sulmin me dronë në Kuvajt ku u vranë dy italianë: Nuk kemi kryer asnjë operacion ushtarak

Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin me dronë në një objekt ushtarak në Kuvajt, ku humbën jetën dy shtetas italianë. Autoritetet italiane dhe ato kuvajtiane...
05:33 | 27/11/2026