Zelensky paralajmëron për një sulm të ri masiv rus, Trump i kërkon Putinit të ndalë agresionin

Zelensky paralajmëron për një sulm të ri masiv rus, Trump i kërkon Putinit të ndalë agresionin

07:50, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po përgatit një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës në ditët në vijim, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaron se i ka kërkuar homologut rus Vladimir Putin të ndalë agresionin ushtarak në Europë.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se shërbimet ukrainase kanë informacione për përgatitjen e një sulmi të ri me raketa dhe mjete ajrore pa pilot. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë alarmet e mbrojtjes ajrore.

Ky është paralajmërimi i dytë i ngjashëm brenda javës, duke rritur shqetësimet për një valë të re bombardimesh ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vijuar. Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, kryeqyteti u godit gjatë natës me raketa balistike, duke lënë shtatë persona të plagosur dhe duke dëmtuar një qendër tregtare dhe dy ndërtesa të tjera.

Moska deklaroi se objektivat e sulmit ishin struktura të lidhura me dronët.

Nga ana tjetër, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave ruse. Autoritetet ukrainase raportuan goditje ndaj një rafinerie nafte në rajonin e Krasnodarit, depozitave të naftës në Bashkortostan dhe një aeroporti ushtarak në rajonin e Volgogradit.

Trump, në një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, tha se kishte diskutuar me Putinin nevojën për të ndalur agresionin ushtarak në territoret europiane. Sipas presidentit amerikan, ai shpreson që kjo të hapë rrugën për një marrëveshje të shpejtë mes Moskës dhe Kievit.

Trump tha gjithashtu se e kishte informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për bisedimet me presidentin rus.

Në planin diplomatik, Bashkimi Europian po përballet me vështirësi për të miratuar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të mbështeste nevojat ekonomike dhe ushtarake të vendit gjatë vitit 2027.

Për Ukrainën, shqetësimi kryesor mbetet vazhdimi i sulmeve ruse dhe sigurimi i mbështetjes financiare e ushtarake nga aleatët perëndimorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco