Zelensky kritikon ashpër Trumpin: Vonesat me armatime po na kushtojnë jetë! Putini është vrasës, nuk mund të jetë mik
Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës në një intervistë për BBC-në. Ai ka denoncuar faktin se vonesat në furnizimin me raketa të rëndësishme për interceptimin e sulmeve ajrore po kushtojnë jetë njerëzish, ndërsa Uashingtoni, sipas tij, nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë në kuadër të negociatave të paqes.
Presidenti ukrainas komentoi gjithashtu me tone të ashpra një postim të Donald Trumpit, në të cilin presidenti amerikan shfaqej duke përqafuar Vladimir Putinin dhe duke e cilësuar atë si “miku im”. Zelensky e krahasoi një qëndrim të tillë me mundësinë që dikush të deklaronte miqësi me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Duke folur nga zyra e tij në qendër të Kievit, Zelensky e cilësoi si “të çuditshëm” postimin e presidentit amerikan.
“Sigurisht, kjo varet nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, por është e çuditshme”, u shpreh ai.
“Ai është agresor dhe vrasës. Nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, shtoi Zelensky, duke iu referuar Vladimir Putinit.
Që prej takimit të tensionuar me Donald Trumpin në Zyrën Ovale në vitin 2025, Volodymyr Zelensky ka treguar kujdes të veçantë në menaxhimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në intervistën për rrjetin britanik, ai nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj zgjedhjeve të administratës amerikane, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë ushtarak.
Dy të dërguarit specialë të Trumpit po përpiqen të përcaktojnë kushtet e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, me synimin për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Megjithatë, qëndrimet e tyre shpesh duken më afër atyre të Moskës sesa të Kievit.
Raundi i fundit i bisedimeve të paqes, i zhvilluar më herët gjatë muajit nëntor në Abu Dhabi, nuk solli ndonjë përparim të dukshëm.
“Sa më shumë mësojmë, aq më shumë probleme shfaqen”, komentoi Zelensky, duke bërë të ditur se negociatat pritet të rifillojnë në muajin dhjetor.
Të enjten, Trump deklaroi në një postim në platformën Truth Social se, gjatë takimit me Vladimir Putinin në Kinë javën e kaluar, i kishte kërkuar Rusisë “të ndalojë çdo agresion ushtarak kundër territoreve në të gjithë Evropën”. Ai shprehu gjithashtu bindjen se arritja e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën është një “mundësi e fortë”.
Presidenti ukrainas zbuloi gjithashtu se mbetet e paqartë nëse negociatorët evropianë do të marrin pjesë në bisedime, ashtu siç kishin njoftuar të dërguarit amerikanë, pasi Kremlini duket se kundërshton këtë mundësi.
Ndërsa Ukraina po i afrohet përvjetorit të pestë të fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë, Kievi kërkon përshpejtimin e negociatave.
Sulmet ruse në të gjithë vendin po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse, ndërsa numri i viktimave civile, sipas BBC-së, ka arritur nivele historikisht të larta.
Zelensky kërkoi “aleatë vërtet të dobishëm, të cilët mund të ushtrojnë presion ndaj Rusisë”, në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të përmbushin reputacionin e tyre si një fuqi e madhe, me “forcë dhe autoritet”.
“Kur përpiqesh të jesh tepër neutral ndaj agresorit, kjo do të thotë se mbështet viktimat, por njëkohësisht mbështet edhe agresorin. Kjo nuk është e drejtë”, theksoi ai.
Nga ana e saj, Uashingtoni pretendon se po ruan një qëndrim neutral në kuadër të përpjekjeve komplekse për të gjetur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme mes dy palëve.
Përplasje mes tifozëve të Beshiktashit dhe policisë në Gjeorgji, ndërpritet për 30 minuta ndeshja e Europa League
Krisje në aleancën Putin-Kim? Inteligjenca ukrainase: Pheniani ka pezulluar dërgesat e raketave drejt Rusisë
Trump ironizon Ditën e Falenderimeve demokratët: Faleminderit atyre që na sollën të majtën radikale
- 08:14 Përplasje mes tifozëve të Beshiktashit dhe policisë në Gjeorgji, ndërpritet për 30 minuta ndeshja e Europa League
- 08:03 Rama publikon mesazhin e mëngjesit: Sot në Tiranë samiti i Planit të Rritjes me liderët e Ballkanit dhe Marta Kos
- 07:58 Zelensky: SHBA-të po përqendrohen te Lindja e Mesme, ndërsa nuk po ushtrojnë presion të mjaftueshëm ndaj Rusisë
- 07:52 Krisje në aleancën Putin-Kim? Inteligjenca ukrainase: Pheniani ka pezulluar dërgesat e raketave drejt Rusisë
- 07:51 Meloni sfidon gjyqtarët: Nuk firmos rritjen e pagave, edhe pse ma kërkon gjykata
- 07:49 Trump ironizon Ditën e Falenderimeve demokratët: Faleminderit atyre që na sollën të majtën radikale