Kuvendi miratoi në orët e para të së premtes, pas një seance maratonë, paketën fiskale dhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.
Pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale morën shumicën e votave në Kuvend, duke sjellë ndryshime në tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Një nga ndryshimet kryesore parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore. Nga lista u hoq uji i ambalazhuar, pas miratimit të amendamentit të deputetit të PS-së, Erjon Malaj, me 78 vota pro dhe asnjë abstenim, ndërsa 12 deputetë votuan kundër. Kuvendi rrëzoi gjithashtu amendamentet e Partisë Demokratike për uljen e TVSH-së në 6% për ujin e pijshëm.
Norma e reduktuar e TVSH-së përfshin edhe paketat higjienike për gratë dhe foshnjat, si dhe shërbime të caktuara, ndër të cilat projektimet dhe studimet për investimet e klubeve sportive.
Nga viti 2027, norma standarde e TVSH-së do të rritet nga 20% në 21%, ndërsa për strukturat akomoduese do të kalojë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit. Po ashtu, pragu i xhiros vjetore për hyrjen e bizneseve në regjimin e TVSH-së ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Ndryshime parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat. Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%, ndërsa për pagat mujore fasha që tatohet me 13% zgjerohet nga 60-200 mijë lekë në 60-300 mijë lekë. Norma 23% do të zbatohet për pagat mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë norma do të jetë 30%. Paga minimale mbetet e përjashtuar nga tatimi.
Një tjetër ndryshim lidhet me taksën e qarkullimit, e cila aktualisht paguhet në çmimin e çdo litri nafte dhe benzine dhe arrin në 32,4 lekë me TVSH. Me paketën e re, kjo taksë kalon te detyrimet vjetore të automjeteve, duke sjellë dyfishimin e taksave vjetore të mjeteve.
Kuvendi miratoi me 80 vota pro projektligjin për ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ndërsa amendamenti i deputetes socialiste Brisejda Çakërri, për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin të të gjitha investimeve me status special në hotelet me katër dhe pesë yje, u miratua me 77 vota.
Pas paketës fiskale, Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.
Gjatë shqyrtimit të buxhetit, u rrëzua me 80 vota kundër amendamenti i Partisë Demokratike për dhënien e pagës së 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar. Po me 80 vota kundër u rrëzua edhe propozimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për vendosjen e minimumit jetik në 200 euro.
Berisha argumentoi se rritja e çmimeve e bën të domosdoshme këtë masë për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, ndërsa akuzoi mazhorancën se po lehtëson investimet strategjike dhe po rrit barrën për bizneset e vogla.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi me 81 vota pro edhe projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, si dhe projektligje të tjera që lidhen me tregjet e kriptoaseteve, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare dhe kontabilitetin në sektorin publik.
Me 80 vota pro u miratuan gjithashtu aktet normative për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe për shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve. Kuvendi miratoi edhe projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”.
Në rendin e ditës u përfshinë gjithashtu miratimi i ndryshimeve në memorandumin e mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, projektligji për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, si dhe shtesa në vendimin për përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Kuvendi miratoi me 79 vota pro edhe lirimin e Gentian Salës nga detyra e kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).


