Tirana bëhet sot mikpritëse e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, ku përfaqësuesit e vendeve të rajonit do të diskutojnë për ecurinë e reformave dhe hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Takimi do të mbahet në Pallatin e Brigadave dhe do të zhvillohet nën moton “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”. Në tryezën e diskutimeve pritet të trajtohen zbatimi i Planit të Rritjes, përshpejtimi i reformave dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Programi parashikon nisjen e aktivitetit në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve rajonalë. Samiti do të përfundojë në orën 12:30, me një konferencë të përbashkët për mediat të kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Takimi në Tiranë zhvillohet vetëm dy ditë pas samitit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Gjatë këtij takimi, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë një fond të ri prej 338 milionë eurosh në javët e ardhshme, nëse përmbushin reformat e kërkuara.

“Këto reforma mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme”, deklaroi von der Leyen. Samiti i sotëm pritet të shërbejë si një tjetër platformë për koordinimin e prioriteteve të rajonit dhe avancimin e procesit të integrimit europian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: