Në Spitalin e Mitrovicës u kryen afër 10 mijë seanca të dializës për nëntë muaj
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë realizuar gjithsej 9,965 seanca të dializës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe 4,645 vizita mjekësore ambulantore.
Shërbimi i dializës në këtë spital u ofrohet pacientëve nga tri komuna: Mitrovica, Skenderaj dhe Vushtrria.
“Dializa është procedurë mjekësore jetike që zëvendëson funksionin e veshkave kur ato nuk mund të filtrojnë më mbetjet, lëngjet e tepërta dhe toksinat nga gjaku”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Sipas këtij institucioni, trajtimet realizohen me aparatura të reja dhe bashkëkohore, ndërsa për kujdesin ndaj pacientëve angazhohet staf profesional.
Spitali ka theksuar se dializa ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të organizmit dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me pamjaftueshmëri të funksionit të veshkave. /Telegrafi/





























