
Seanca plenare e kësaj të enjteje u zhvillua mes debatesh të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku krahas projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, në qendër të diskutimeve ishin edhe aktet normative të qeverisë për tubimet.
Deputetët e opozitës kundërshtuan paketën antidhunë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën kushtetuese për protestë. Nga ana tjetër, mazhoranca mbrojti nismën, me argumentin se masat synojnë parandalimin e akteve të dhunës dhe mbrojtjen e institucioneve, pronës publike dhe private.
Një tjetër çështje që nxiti debat ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Vendimi shkaktoi replika mes deputetëve të opozitës dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, lidhur me vijimin e shqyrtimit të akteve normative në Kuvend.
Seanca u shoqërua edhe me përplasje personale mes deputetëve. Sali Berisha pati replika me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, si dhe me deputetin socialist Erion Braçe. Ndërkohë, Ulsi Manja u përfshi në debate me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputetin Erald Kapri.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca vijoi procedurën parlamentare dhe projektbuxheti së bashku me paketën fiskale për vitin 2027 u miratuan me shumicë votash. Në momentin e votimit të buxhetit, kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në sallën e Kuvendit.
Seanca u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa debati për aktet normative dhe të drejtën e protestës pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar nga opozita për 28 nëntor.