Aktualitet Politikë

“Growth Plan”, tryezë mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisioneres Kos!

Me një mesazh në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama njofton vijimin e aktiviteteve të mikpritjes në kuadër të samitit të “Growth Plan”.

Me temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, samiti dhe do të përfshijë një tryezë diskutimi mes liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres së Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.

Mirmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i ‘’Growth Plan’’, me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë, shkruan Rama.

Në samit pritet të marrin pjesë drejtues të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.

Punimet nisin në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve, ndërsa fjalët hapëse do të mbahen nga Rama dhe Kos.

Në fokus të diskutimeve do të jenë zbatimi i reformave, nxitja e investimeve, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

Pas përfundimit të sesioneve të punës, liderët do të realizojnë fotografinë zyrtare të samitit, ndërsa në orën 12:30 Kryeministri Rama dhe Komisionerja Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të prezantojnë përfundimet dhe mesazhet kryesore të takimit.

Takimi i nivelit të lartë vjen në një moment të rëndësishëm për rajonin, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe po zbatojnë projektet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes, mekanizëm që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik dhe europian të rajonit.

Samiti i Tiranës shihet si një tjetër hap në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus zhvillimin ekonomik, investimet dhe përshpejtimin e rrugës së integrimit europian.