Në mesazhin e saj, Shiroka-Pula ka vlerësuar kontributin e pjesëtarëve të FSK-së në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ajo ka thënë se ushtria e Kosovës mishëron aspiratën e brezave për një vend të lirë, të pavarur dhe të sigurt, duke theksuar se është ndërtuar mbi sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si presidente dhe Komandante Supreme, Shiroka-Pula ka shprehur përkushtimin për forcimin e ushtrisë dhe avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Ajo ka theksuar se Kosova, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojë të ndërtojë një ushtri moderne dhe profesionale, të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.

“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Në mesazhin e saj, presidentja ka përkujtuar edhe Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke thënë se sakrifica e tyre mbetet burim frymëzimi dhe përgjegjësie.

“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, ka theksuar Shiroka-Pula, duke uruar pjesëtarët e FSK-së për Ditën e Forcës.