E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

EMRAT/ Policia i kap me 4 thasë me kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Laç

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 40.3 kilogramë kanabis në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen. Në pranga kanë rënë Hermes Mihana, 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe Hidajet Karaj, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Storm”, në rrugën e fshatit Selitë, ku policia ndaloi për kontroll automjetin tip “Mitsubishi”, me drejtues Hermes Mihana dhe pasagjer Hidajet Karaj. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën katër thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 40.3 kilogramë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit e kishin siguruar drogën në fshatin Mafsheq, në Malësinë e Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit për ta shitur.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë kanabis, një peshore manuale, automjeti dhe një celular. Dy personat akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.