
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e disa reformave në Shqipëri, gjatë samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Kos deklaroi se Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të kërkuara dhe, si rezultat, do të përfitojë 185.6 milionë euro në kuadër të pagesës së katërt të këtij plani.
“Faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë, në kuadër të një nisme me rëndësi të veçantë për Ballkanin Perëndimor.
Të gjithë së bashku po hyjmë në vitin e fundit të zbatimit të Planit katërvjeçar të Rritjes. Rezultatet e vendeve tona janë të ndryshme: tri prej tyre kanë shënuar përparim në zbatimin e reformave, ndërsa tri të tjera nuk i kanë shfrytëzuar mundësitë e ofruara në masën e duhur.
Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara dhe do të përfitojë 185,6 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Fondet do të shpërndahen në mënyrë që të shpërblehen vendet që kanë bërë më shumë përpjekje dhe kanë shënuar përparim në zbatimin e reformave. Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë 15% më shumë nga fondet e Planit të Rritjes, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë 10% më shumë.
Serbia, deri më tani, nuk ka përfituar fonde nga Plani i Rritjes, por kjo situatë mund të ndryshojë me formimin e qeverisë së re”, tha Marta Kos.