Aktualitet Politikë Rajoni

Samiti për Planin e Rritjes në Tiranë/Rama: Moment vendimtar për Ballkanin!

Në nisje të samitit BE–Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, sot në Tiranë, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë, “moment vendimtar për rajonin dhe Europën”, duke theksuar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të përfitojnë që tani nga integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.

Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën.

Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal.

Na duhet të themi se vitet e fundit, konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është rritur. Por, ka ende shumë rrugë për të bërë. Ne të gjithë kemi mbrojtur idenë se qytetarët tanë s’duhet të presin për të korrur përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët. Qytetarët tanë duhet të gëzojnë që tani, gradualisht, të drejtat që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate e të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi.

Samiti zhvillohet me pjesëmarrjen e eurokomisoneres së Zgjerimit. Marta Kos vlerësoi se Shqipëria ka arritur rezultate pozitive.

Faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë për një instrument shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të zbatimit 4-vjeçar të Planit të Rritjes. Rezultatet tuaja janë të ndryshme, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, kurse tre shtete të tjera nuk i kanë shfrytëzuar ashtu siç duhet.

Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, kurse Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Serbia deri më tani nuk ka marrë fonde nga Plani i Rritjes, por kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re.