Dy motra binjake, vetëm 21 vjeçe, janë dënuar me vdekje dhe 25 vite burg në Iran, pasi morën pjesë në protestat antiqeveritare të janarit. Rasti i Taraneh dhe Romina Rahimit ka shkaktuar reagime për shkak të akuzave të rënda për torturë, abuzim seksual dhe rrëfime të marra me detyrim gjatë periudhës së paraburgimit. Sipas familjarëve, dy të rejat janë dhunuar brutalisht nga hetuesit, ndërsa Taraneh është kërcënuar me përdhunim në sy të motrës së saj nëse nuk pranonte të firmoste një deklaratë fajësie.
Kushëriri i tyre, Masoud Nurmohammadi, ka deklaruar për shërbimin persian të BBC-së se Taraneh është rrahur aq rëndë gjatë javëve të fundit, sa tashmë nuk është në gjendje të ecë. Një dëmtim në kokë, për të cilin familjarët thonë se nuk mori trajtimin e nevojshëm mjekësor, i ka shkaktuar gjithashtu një infeksion në vesh dhe probleme me ekuilibrin. Sipas raportueses speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, Mai Sato, Taraneh është njëra prej gjashtë grave që janë dënuar me vdekje që nga fillimi i vitit në çështje të lidhura me protestat. Edhe pse numri i burrave të dënuar me vdekje është shumë më i lartë, dënimet kapitale ndaj grave për arsye politike konsiderohen të pazakonta në dekadat e fundit.
Nëna i kërkoi për katër muaj, i gjeti të dhunuara
Taraneh dhe Romina u arrestuan rreth dy javë pas pjesëmarrjes në protestat kundër regjimit iranian. Sipas familjes, persona të maskuar, që dyshohet se i përkisnin Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), hynë gjatë natës në banesën e tyre dhe i morën nga shtretërit. Për katër muaj, nëna e tyre, Marzieh Nurmohammadi, nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen e vajzave. Vetëm në maj iu lejua t’i takonte në burgun Dolatabad, në Isfahan. Pamja e dy motrave ishte tronditëse. Sipas dëshmisë së familjes, ato kishin fytyra të ënjtura dhe të mbuluara me mavijosje, ndërsa në disa pjesë të kokës u mungonin tufat e flokëve, pasi dyshohet se ishin tërhequr zvarrë prej tyre gjatë marrjes në pyetje.
Nëna arriti t’i njihte vetëm nga zëri. Pas shpalljes së vendimeve gjyqësore, familjarët pretendojnë se nuk u është lejuar më t’i vizitojnë. Avokatët e dy motrave kanë paraqitur një ankesë zyrtare për torturë dhe abuzim seksual gjatë marrjes në pyetje. Megjithatë, sipas pretendimeve të tyre, shqyrtimi i ankesës është lënë në duart e një zyrtari që vetë akuzohet për ushtrim torture. Dy motrat u gjykuan për pjesëmarrjen në protestat në qytetin e Isfahanit, në një zonë ku gjatë trazirave ishte vrarë një pjesëtar i forcave të sigurisë së Gardës Revolucionare.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga BBC, Taraneh u shpall fajtore për veprën penale të njohur si “moharebeh”, që përkthehet si “luftë kundër Zotit” dhe parashikon dënimin me vdekje sipas legjislacionit iranian. Ajo u akuzua se kishte ekspozuar një armë të mprehtë me qëllim rrezikimin e jetës së civilëve. Ndërsa motra e saj binjake, Romina, u dënua me 25 vite burg për bashkëpunim në të njëjtën vepër. Familjarët i kundërshtojnë të gjitha akuzat dhe pretendojnë se nuk ekzistojnë prova që Taraneh të ketë mbajtur një armë të tillë. Raportuesja speciale e OKB-së ka ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor. Sipas saj, çështja që përfshin dy motrat ka çuar në dënimin me vdekje të dhjetë shtetasve iranianë, pa u sqaruar konkretisht veprimet që i atribuohen secilit prej tyre. Edhe organizata Amnesty International i ka cilësuar akuzat ndaj dy të rejave si të motivuara politikisht.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i kanë hedhur poshtë akuzat për torturë, duke i cilësuar raportimet për abuzime dhe rritjen e dënimeve me vdekje në çështjet e lidhura me protestat si mashtruese. Teherani pretendon se pjesëmarrja në protesta paqësore është një e drejtë legjitime dhe e mbrojtur, ndërsa dënimet me vdekje të dhëna pas protestave të janarit lidhen, sipas autoriteteve, me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen me dashje dhe “moharebeh”. Ndërkohë, familja e dy motrave vijon përpjekjet për të kundërshtuar vendimet dhe për të kërkuar shpëtimin e tyre nga ekzekutimi.