Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos deklaron se vendet e Ballkanit Perëndimor po hyjnë në vitin e fundit të periudhës 4-vjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes, duke vlerësuar se tre shtete të rajonit kanë shënuar përparim të dukshëm në përmbushjen e reformave.
Gjatë fjalës së saj, Kos paraqiti bilancin konkret të zbatimit të reformave të lidhura me këtë plan, duke veçuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet me ritmin më të lartë të realizimit.
Në një kohë kur qytetarët shqiptarë protesojnë prej disa muajsh kundër korrupsionit dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, Marta Kos mbyll sytë dhe thotë se Shqipëria ka vënë në zbatim 80% të reformave.
Mesa duket, Marta Kos është “dashuruar” me lajkat e Ramës dhe sheh vetëm çfarë shkruhet në letër, pasi realiteti është shumë më larg nga çfarë pretendohet.
“Tre shtete kanë bërë përparim të mirë për reformat. Këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar dhe në njoftime që ka bërë presidentja Von der Leyen. Mali i Zi ka vënë në zbatim 84% të reformave, ndërsa Shqipëria ka vënë në zbatim 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt,” u shpreh Komisionerja.
Në të njëjtën kohë, Komisionerja Europiane preku edhe ecurinë e vendeve të tjera të rajonit, duke bërë thirrje për përshpejtim të hapave në Prishtinë dhe Sarajevë.
“Në Kosovë, qeveria është një mundësi për të pasur një fokus të ri drejt BE-së dhe duhet të flasim se si mund të çojmë më tej këtë proces. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina duhet ende të ratifikojë marrëveshjet e duhura,” përfundoi Marta Kos.












