Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Begaj me Presidenten e Kosovës në Ohër: Mbështesim fuqishëm statusin kandidat në BE dhe hapat ligjorë për Hagën


Në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi fillimisht një takim me Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Kreu i Shtetit e uroi Presidenten Shiroka-Pula për detyrën e re, duke shprehur besimin se eksperienca e saj akademike dhe profili i saj politik dhe njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të saj.

Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, me anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një nga objektivat kryesorë.

Presidenti Begaj rikonfirmoi se Kosova është pjesë e çdo takimi që ai zhvillon me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se kërkesa për njohjen e saj nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap mbetet pjesë e agjendës së tij. Ai rikujtoi se, që në takimin e tij të parë në selinë e NATO-s, në cilësinë e Presidentit të Republikës, kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Aleancë. 
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara dhe në konsultim me partnerët.