E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Marta Kos ‘zbyth’ propagandën e Ramës: Viti 2030 nuk është i garantuar
Lajme

Marta Kos ‘zbyth’ propagandën e Ramës: Viti 2030 nuk është i garantuar

“Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare”

Afati i vitit 2030, i shpallur nga kryeministri Edi Rama si objektiv për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk përbën një premtim apo garanci nga Brukseli. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka rikujtuar se përmbushja e reformave dhe miratimi nga vendet anëtare mbeten dy kushtet vendimtare për përmbylljen e procesit të integrimit.

Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, Kos foli për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe afatet e mundshme të anëtarësimit, duke theksuar se vendi mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave në fund të vitit 2027, por vetëm nëse përmbush detyrimet e kërkuara dhe merr miratimin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Komisionerja sqaroi se përparimi në negociata nuk varet vetëm nga kalendari i përcaktuar nga qeveria shqiptare, por mbi të gjitha nga rezultatet konkrete në zbatimin e reformave. Sipas saj, Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse përmbush kriteret dhe merr dritën jeshile nga vendet anëtare.

“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, deklaroi Marta Kos.

Pas përfundimit të negociatave, hapi i radhës do të jetë përgatitja e traktatit të anëtarësimit. Sipas skenarit të përmendur nga komisionerja europiane, ky dokument mund të nënshkruhet gjatë vitit 2028, ndërsa më pas do të nevojitet edhe procesi i ratifikimit nga vendet anëtare.

Kos u shpreh se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, por e bëri të qartë se ky afat mbetet i kushtëzuar nga ecuria e reformave dhe vendimmarrja e shteteve anëtare.

“Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, u shpreh komisionerja.

Deklaratat e saj rikthejnë në vëmendje dallimin mes objektivit politik të shpallur nga Edi Rama dhe garancive institucionale që mund të japë Bashkimi Europian. Viti 2030 mbetet një horizont i mundshëm për anëtarësimin, por jo një datë e konfirmuar.

Për Shqipërinë, rruga drejt BE-së kalon përmes përmbushjes së reformave, mbylljes së kapitujve të negociatave, nënshkrimit të traktatit dhe ratifikimit të tij nga vendet anëtare. Pa përmbushjen e këtyre etapave, objektivi i vitit 2030 nuk mund të konsiderohet i sigurt.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.