SPAK ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Bëhet fjalë për komunikime të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC, të cilat, sipas organit të akuzës, dokumentojnë bisedat mes personave të përfshirë në ngjarje, përfshirë diskutimet për ngarkesën e drogës, motivet e krimit dhe rrëmbimin.
Gjykata e Posaçme ka pranuar administrimin e këtyre provave. Gjatë seancës, prokurorët shpjeguan se personat e dyshuar janë identifikuar përmes kodeve që përdornin në aplikacion, ndërsa në komunikime përmenden Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Altin Hajri dhe Geraldo Martini.
Sipas SPAK, bisedat datojnë që prej vitit 2020 dhe përmbajnë diskutime për organizimin e rrëmbimit të Jan Prengës, si dhe mesazhe që dyshohet se i janë përcjellë vëllait të tij, i cili në atë kohë ndodhej në burg.
Prokuroria pretendon se fillimisht ishte diskutuar edhe mundësia e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por në fund objektiv u bë Jan Prenga.
Një tjetër element i përmendur nga SPAK lidhet me përpjekjet për ta larguar çështjen nga kompetenca e Prokurorisë së Posaçme dhe për ta kaluar në një prokurori të zakonshme. Sipas akuzës, në komunikime flitet edhe për mënyrën se si duhej të orientoheshin deklarimet e Festim Bexhdilit.
Bisedat për drogën dhe rrëmbimin në Sky ECC
Gjatë paraqitjes së provave, SPAK ka renditur disa prej komunikimeve dhe datat kur ato janë zhvilluar. Në periudhën 2-4 prill 2020, Altin Hajri ka komunikuar me Gentian Funiqin, ku në bisedë përmendet Festim Bexhdili.
Në një prej mesazheve citohet shprehja: “Ishalla t’i mbushim mendjen, do përgatit pak ai”. Sipas prokurorisë, në të njëjtat komunikime diskutohej edhe për një ngarkesë droge në Ekuador. Një tjetër bisedë, e datës korrik 2020, përmban mesazhin: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”. Sipas SPAK, komunikimi tregon se të pandehurit diskutonin se si duhej të dëshmonte Bexhdili.
Në komunikimet mes Gentian Funiqit dhe Dritan Rexhepit përmendet gjithashtu Ndrek Prenga, për të cilin, sipas prokurorisë, diskutohej mbajtja nën vëzhgim. Ndërsa në një bisedë të datës 30 janar 2021, Dritan Rexhepi shkruan: “Paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
SPAK ka paraqitur edhe komunikime të tjera që lidhen me trafikun e drogës, përfshirë një episod ku një ngarkesë ishte lagur me ujë deti dhe personat që komunikonin diskutonin për gjetjen e një zgjidhjeje.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Dritan Rexhepit ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion komunikimet konkrete të nxjerra nga Sky ECC, për të analizuar përmbajtjen e tyre dhe provat e paraqitura nga akuza. Seanca e radhës është caktuar më 11 dhjetor, në orën 10:00, ku mbrojtja pritet të paraqesë qëndrimin dhe analizën e saj mbi provat e administruara nga SPAK. Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili ndodhet i arrestuar në Londër.














