Reshjet e dendura përmbytin disa zona në Vlorë, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Problematika më e dukshme është regjistruar në rrugën “Albano Romina”, në lagjen “Lef Sallata”, ku është grumbulluar një sasi e konsiderueshme uji. Kjo situatë përsëritet sa herë që qyteti përballet me reshje të dendura.
Probleme me grumbullimin e ujërave janë evidentuar edhe në Plazhin e Vjetër dhe në zonën e Skelës, pranë rrugës “Kosova”. Në këto akse, lëvizja është bërë e vështirë, veçanërisht për këmbësorët.
Përmbytjet në këto zona janë një shqetësim i përsëritur për banorët, duke rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje në sistemin e kullimit dhe përmirësimin e infrastrukturës së kanalizimeve të ujërave të shiut.




