Festat e 28 dhe 29 Nëntorit në Vlorë, kufizohet qarkullimi dhe ndalohet parkimi në disa akse rrugore

Policia e Vlorës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit në disa akse rrugore të qytetit, në kuadër të aktiviteteve festive për 28 dhe 29 Nëntorin.
Masat do të hyjnë në fuqi prej orës 22:00 të ditës së sotme dhe do të vijojnë deri në përfundimin e aktiviteteve.
Njoftimi:
Në zbatim të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive që do të zhvillohen në qytetin e Vlorës, me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Policia e Vlorës njofton qytetarët se, prej orës 22:00 të ditës së sotme, deri në përfundim të aktiviteteve, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit të automjeteve në disa akse rrugore të qytetit.
Konkretisht, kufizime do të ketë në akset e mëposhtme:
▪️ Rrethrrotullimi – sheshi “Omonia” – Shkolla e Muzikës – kryqëzimi i Menës – rruga për te “Hollidej”, ku nga të dyja anët e rrugës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve;
▪️ Kryqëzimi që vjen nga “Hollidej” – agjencia “Ruci” – kryqëzimi i Kapeles, ku në krahun e djathtë të rrugës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve;
▪️ Aksi rrugor nga zona e L-së deri te kryqëzimi i Grevës, ku nuk do të lejohet parkimi i automjeteve.
Shërbimet e Policisë do të jenë të angazhuara në terren, për menaxhimin e trafikut, orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
Policia e Vlorës apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke kërkuar që të mos parkojnë automjetet në akset e përcaktuara më lart dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë.




